Komisioni Evropian ka thyer heshtjen për arrestimin dhe burgosjen e Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i akuzuar për blerje votash dhe i arrestuar vetëm dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 Majit. Një zëdhënës i KE tha se nuk mund të komentojë mbi hetimet që po zhvillohen, por janë në dijeni të situatës.

“Ne vijojmë t’i ndjekim zhvillimet. Nuk mund të komentojmë hetimet në vijim dhe kërkojmë të sigurohet vazhdimësia e procesit”, tha shpreh zëdhënësi i KE.

Sa u takon zgjedhjeve lokale, ai u shpreh se “rastet e keqpërdorimit të burimeve publike në nivel kombëtar dhe lokal, pretendimet për presion ndaj votuesve dhe punonjësve të administratës dhe në veçanti për blerjen e votave, janë shqetësuese dhe duhen hetuar përkatësisht”. Komisioni Evropian shtoi se palët politike duhet të angazhohen në një dialog dhe “të adresojnë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias”. Kujtojmë se Fredi Beleri i ka mohuar të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe e ka quajtur arrestimin “të motivuar politikisht”, një qëndrim që është mbështetur edhe nga Athina zyrtare. Beleri është transferuar në Tiranë, ku po vijon të qëndrojë i burgosur, pavarësisht kërkesave të skuadrës së tij ligjore për ta pritur mbylljen e hetimeve dhe vendimin në arrest shtëpie për shkak të problemeve me shëndetin.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe Ministri i Jashtëm Nikos Dendias e kanë dënuar arrestimin dhe kanë kërcënuar se do të bllokojnë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian në rast se Beleri nuk lihet i lirë. Sidoqoftë, Komisioni Europian nuk e ka komentuar këtë çështje. Rasti i Fredi Belerit i është raportuar edhe Presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe Këshillit të Punëve të Jashtme gjatë një takimi në Bruksel këtë të hënë. Në anën tjetër, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka kanë deklaruar se çështja e arrestimit të Belerit nuk është politike dhe kanë kërkuar që organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre pa ndërhyrje dhe presione nga jashtë.

Artikulli paraprakTENSIONET NË VERI, ALBIN KURTI UL TONET
Artikulli tjetërKATËR USHQIME MË TË SHËNDETSHME PËR ZEMRËN