Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, në një deklaratë për mediat, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, tregoi vendimet që janë marrë.
Ajo tha se janë marrë të gjitha masat për trajtimin shëndetësor, sidomos për të prekurit nga COVID, si dhe nënvizoi se më shumë se 150 punonjës shëndetësorë janë shtuar për të përballuar efektet e COVID-19.
“Ne kemi vendosur objektiv vaksinimin e të gjithë popullatës në marsin e ardhshëm. Dy vendime të tjera lidhen me përmirësimin e cilësisë së shërbimeve. Janë vendosur fondet e nevojshme për ato programe që duhen mbështetur, ku efekti direkt, apo indirekt nga COVID-19 të mbështeten financiarisht që qytetarëve të mos i mungojë trajtimi shëndetësor.
Jo vetëm do të garantohet furnizimi me barna, por edhe të rritet cilësia duke ofruar shërbime të reja, siç është dhe shtrirja e nevojave laboratorike. Sigurisht janë këto 2 vendime që janë bërë efektive. Dua të theksoj se më shumë se 150 punonjës shëndetësorë, janë shtuar dhe ky fond mbulon jo vetëm burimet njerëzore të shtuara për të përballuar efektet e COVID-19, por edhe synon që të mbulojë edhe vijimin e bonusit për mjekët dhe infermierët”, tha ministrja Manastriliu.
Ministrja tha ndër të tjera se deri më tani më shumë se 900 mijë qytetarë kanë marrë dozën e parë të vaksinës, e përkthyer kjo në 44% të kategorisë që deri më tani i është lejuar vaksinimi. Sakaq, ajo tha se qeveria është e gatshme që të garantojë doza të mjaftueshme vaksinash, nëse komiteti teknik vendos që të aplikojë në popullatë dozat përforcuese.
“Janë më shumë se 900 mijë qytetarë që kanë marrë dozën e parë të vaksinës ose ndryshe rreth 44% e popullatës target, ndërsa janë vaksinuar plotësisht 35.5% e popullatës target. Ne duam të rrisim mbulesën vaksinale, por popullata mbi 60 vjeç ka arritur një vaksinim 64% që është një mbulesë e mirë.
Sa i përket dozave përforcuesve, komiteti i ekspertëve është duke vlerësuar programin për dozat përforcuese, ne jemi të përgatitur, qeveria ka vendosur të gjitha fondet në dispozicion për marrjen e vaksinave. Nëse komiteti miraton dozat e treta ne do e zhvillojmë menjëherë”, përfundoi ministrja.