Këngëtari shqiptar, Labinot Tahiri, i cili ka qenë dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar të bëhet ministër Shëndetësie. Në një letër publike drejtuar kryeministrit Albin Kurti, Labi shkruan se do të punonte pa rrogë, vetëm që të plotësohen kërkesat dhe nevojat e qytetarëve në fushën e shëndetësisë.
“E dini edhe ju, e din edhe e gjithë shqiptaria se shtëpia ime tashmë është bërë një lloj mini-ministrie e shëndetësisë, për faktin se qytetarët tanë na besojnë, adresohen tek ne dhe gjejnë trajtimin njerëzor!”, shkruan ndër të tjera në letrën e tij.
Reagimi i plotë:
Si ministër i shëndetesisë, do të punoja pa as një rrogë, vetëm ta realizojë atë që e duan qytetarët tanë , besimin në shëndetesi se jo akoma pas 20 vite paratë tona të shkojnë në Turqi e në vende të ndryshme! Lexojeni se nje ditë do të semuremi edhe ne….
I nderuar Kryeministër, meqënëse ju jeni aty në vendin e merituar, mendoj se edhe duhet të keni afër njerëz, të cilët e kanë vullnetin të punojnë siç duhet për vendin dhe qytetarët!
Deri më tani, kam pasur me qindra vepra në shërimin e fëmijëve me Leukemi dhe raste të tjera nga ato edhe më të rëndat. E dini edhe ju, e din edhe e gjithë shqiptaria se shtëpia ime tashmë është bërë një lloj mini-ministrie e shëndetësisë, për faktin se qytetarët tanë na besojnë, adresohen tek ne dhe gjejnë trajtimin njerëzor! Rasti i fundit ishte dje, kur familja dhe qytetarët kërkuan nga unë, që të mirrem me një vajzë me emrin Stina, shërimi i së cilës kushton 2,500.000 milionë euro. I dashur Kryeministër, nëse Prishtinën e fiton i nderuari Arben Vitia; më jepni postin e tij si ministër i qeverisë tënde, vetëm në këtë mandat, dhe punën që unë do t’a bëja jam më se i bindur se nuk e kanë bërë asnjëri nga ministrat e shëndetësisë për këto njëzet vite! I dashur njeri me këmbë në tokë, do të punoja pa pagesë e pa asnjë fitim, vetëm qytetarët tanë, bashkëvendasit tanë, populli ynë, të kenë besim në shëndetësi, për mundësi trajtimi në vendin tonë. Ju e dini shumë mirë që sot, qytetarët nuk e kanë besimin në shëndetësi, e në anën tjetër paratë i dërgojmë në Turqi, Itali e Maqedoni. Pra, ne jemi vetëm në humbje, madje çdo ditë e më shumë, dhe krejt në fund, askush nga semundjet e rënda nuk gjen shërim! Me mua, nuk do të largohet asnjë mjek apo specialist nga Kosova e nuk mund të ndodhë asnjë keqpërdorim në institucionin e shtetit pra në ministri e as në institucionin e popullit pra në spitale. Populli është lodhur shumë me fjalë e zgjedhje çdo dy tri vjet, sot kërkohet më shumë punë e më pak fjalë. Kushdo që e konsideron këtë kërkesë nga ana ime, si një hiç asgjë, le t’a din mirë që edhe ata, kudo qofshin në parti politike e kudo jetofshin në Kosovë, do t’a kenë nevojën për një trajtim dinjioz nga ana ime, pavarësisht faktit se bëhëm apo nuk bëhem udhëheqës i këtij institucioni sot! Në vendin tonë e për popullin tonë, do të sillja donacione nga e gjithë bota, sepse puna duhet të kryhet edhe me këmbë e me trup, dhe jo vetëm me kravata e me maska kinse jemi zyrtarë nëpër zyre…