Kombëtarja shqiptare e nis me barazim aventurën në edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Një pikë me rezultatin 1-1 ndaj Islandës nuk është keq për një ndeshje transferte, por për nga mënyra se si shkoi ndeshja dhe nga dominimi i kuqezinjve, duket se Shqipëria la dy pikë.
Kuqezinjtë dominuan në pjesën e parë dhe u shpërblyen në minutën e 30-të, kur pas një gjuajtje të Abrashit, Seferi shtyu topin në rrjetë. Vendasit ishin sporadikë dhe në një moment edhe mund të na kishin ndëshkuar, por portieri Berisha u tregua në lartësinë e duhur. Gjithsesi, Shqipëria e mbylli 0-1 në avantazh pjesën e parë.
Me të nisur pjesa e dytë, Islanda barazon shifrat. Pasiguri e mbrojtjes sonë, gabim i Berat Gjimshitit dhe finalizim i Thorsteinsson, me portierin Berisha që nuk ka çfarë të bëjë.
Më pas është Shqipëria luan mirë, krijon disa raste, por nuk ishte e thënë që të konkretizohej. Islandezët shfaqeshin ndonjëherë deri në kufijtë e zonës, por Kumbulla me shokë nuk lejuan më shumë. Në fund mbyllet 1-1, me skuadrat që ndajnë nga një pikë. Kombëtarja shqiptare do ta luajë ndeshjen e dytë më 10 qershor ndaj Izraelit në stadiumin “Air Albania”.