Blendi Teta, i ndaluari si person i dyshuar se ka informuar autorët për lëvizjet e Santiago Malkos është kërcënuar nga persona të paidentifikuar. Bëhet me dije se atij i ka ardhur një letër në ambientet e burgut ku shkruhet “Je i vdekur për këtë që na ke bërë”.
Referuar po të njëjtave burime, mësohet se avokati mbrojtës i ka bërë një memo Prokurorisë së Tiranës për t’i siguruar jetën, por ende nuk dihet nëse është marrë një vendim konkret.
Kush është Blendi Teta dhe si ra në gjurmët e policisë?
Hetuesit e çështjes kanë dyshime se Blendi Teta të jetë personi që ka informuar autorët e vrasjes së ish efektivit Santiago Malko, për lëvizjet e këtij të fundit pak minuta para se të ndodhte vrasja. Ditën e ngjarjes, unformat blu gjetën të braktisur në rrugën “Dalip Topi”, në afërsi të ish-drejtorisë së pyjores, një automjet tip skoda, ku më pas, nga kamerat e sigurisë ka rezultuar se pikërisht nga kjo makinë kishte zbritur 39 vjeçari Teta.
Po ashtu, thanë burime, pasi është bërë identifikimi i tij, Teta është vënë në përgjim, dhe pasi ka shkuar në banesën e bashkëjetueses së tij në zonën e Laprakës, i ka shfaqur asaj shqetësimin se policia po e kërkonte për një vrasje.