Pavarësisht se Vllaznia dje siguroi mbijetesën në Superligë, te kuqeblutë nuk mund të tolerohet fakti që gjithçka u vendos në 90 minutat e fundit.
Voltana Ademi, bëri një postim në faqen zyrtare në Facebook ku falënderonte tifozët dhe ekipin për shpëtimin nga rënia prej Superiores. Por “Vllaznit Ultras” kanë reaguar ashpër ndaj këtij postimi, duke e cilësuar atë fajtoren kryesore të kësaj situate të Vllaznisë. Sipas tyre nëse gjërat do të kishin shkuar keq do ta kishin djegur bashkinë.
Postimi i Voltana Ademit
“Falënderim të veçantë tifozëve! Kaluam një moment shumë të vështirë e krejtësisht të panevojshëm. Neglizhenca e ndokujt në disa ndeshje na bëri të vëmë në pikëpyetje qëndrimin në kategori e na largoi nga Europa, që këtë vit e meritonim. Sigurisht, që në ditët në vazhdim, duhet të bëhet një analizë e plotë. Por sot është dita t’i themi faleminderit trajnerit, lojtarëve të rinj shkodranë dhe në veçanti tifozëve që e mbështetën skuadrën deri në fund.”
Postimi i “VLLAZNIT ULTRAS”
“Kjo gruaja nuk e ka kuptuar ende që ka shpëtuar sot për një qime pa u djegur me gjithë Bashki, sikur Vllaznia të kishte humbur. Vetëm ju, Voltana Ademi, s’keni gojë të flisni për Vllazninë, hiç hiç hiç. Hesht! Nuk ka fajtore më të madhe sesa ti në këtë histori. Kemi vite që protestojmë për të kaluar Vllazninë në dorë të biznesit për një menaxhim më të mirë të Klubit Vllaznia. Mos të të shkojë mendja që ne kemi bindje politike, e kemi vërtetuar prej 12 vjetësh, Vllaznia për ne është FE. Jepja Vllazninë biznesit për ta nxjerrë kampion. Mos e mbaj për përfitime politike dhe ekonomike, interesimi nga biznesi për të blerë aksionet nuk ka munguar në asnjë moment.”