Shqiptari Alban Beshiri, i cili akuzohet se ka kërcënuar me mesazhe prokuroren e Durrësit, Oltjana Çifligun, është ekstraduar nga Anglia. 36-vjeçari Beshiri, lindur në Vorë, Tiranë, ishte shpallur në kërkim, pasi ishte dënuar me 6 muaj burg për veprën penale ‘Kanosje’. Pak ditë më parë u sigurua vendimi i Gjykatës së Lartë Angleze “High Court of Justice”, e cila kishte hedhur poshtë tentativën për të bllokuar ekstradimin nga Alban Beshiri i dënuar në mungesë në Shqipëri. Beshiri u arrestua në Angli më 12 Korrik 2016 pas një kërkese ekstradimi dërguar nga Interpol Tirana. Beshiri kishte fituar nënshtetësinë britanike dhe jetonte në qytetin Coventry.

Duke qenë shtetas anglez, ai kishte dërguar disa letra Ministrisë së Jashtë britanike ku pretendonte se nëse ekstradohej në Shqipëri i kërcënohej jeta. Njoftimi i policisë: Nga specialistët e Interpolit u krye ekstradimi nga Londra/Mbretëri e Bashkuar drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Alban Beshiri 36 vjeç, lindur në Vorë, Tiranë. Shtetasi Alban Beshiri është shpallur në kërkim pasi me vendimin penal nr. 3727, datë 30.10.2015, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 6 muaj burg për veprën penale “Kanosje e gjyqtarit” parashikuar nga neni 317 i Kodit Penal.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Nga data 18.07.2014 e në vijim shtetasi Alban Beshiri ka kërcënuar gjyqtaren O.Ç. e cila po shqyrtonte çështjen gjyqësore ndaj tij ku ai ishte i akuzuar për veprën penale “Dhunë në familje”, duke e telefonuar dhe duke i dërguar mesazhe telefonike me përmbajtje kërcënuese. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Manchester, u bë i mundur arrestimi i tij në Londër, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

Artikulli paraprakVIDHET BIZNESI, MBI 600 MIJË LEKË DËME
Artikulli tjetërPROVIMET E MATURËS, RREGULLAT E REJA PËR KANDIDATËT