Një 79-vjeçar u arrestua nga Policia në Kukës pasi ka tentuar të vrasë familjarët e tij dhe t’i vërë flakën banesës me benzinë. Ngjarja e rëndë fatmirësisht është parandaluar nga policia.
I.S., 79 vjeç, banues në fshatin Kalimash ka shkatërruar orenditë e banesës, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj familjarëve dhe nipit dhe më pas i ka kanosur me çifte, si dhe ka tentuar të djegë shtëpinë me benzinë.
Por falë njoftimit në kohë të policisë dhe mbërritjes menjëherë në vendngjarje të inspektorit të Policisë së Zonës, i cili në bashkëpunim me familjarët i kanë marrë çiften dhe shishen e benzinës të moshuarit, duke e vënë në pranga.
Policia thotë se në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e gjahut (çifte), disa fishekë, një shishe benzinë dhe një çakmak, ndërkohë që policia thotë se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.
I moshuari do të hetohet nga Prokuroria e Kukësit, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës e mbetur në tentativë”.