Kërkesa e Papa Françeskut për Trump: Të udhëhiqet nga vlerat morale

Në kohën kur Donald Trump betohej si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara në Uashington, Papa Françesku intervistohej gjerësisht nga gazeta spanjolle “El Pais” në Vatikan, ku ai bëri thirrje për maturi. Në intervistën mëse 1 orë të gjatë, Papa ka shpjeguar se “në Kishë, ka shenjtorë dhe mëkatarë, njerëz të denjë e të korruptuar”, por ajo çfarë e shqetëson atë më shumë është “një Kishë e gllabëruar nga natyra materialiste”. Papa Françesku foli hapur kundër ndjenjave populiste gjithnjë në rritje dhe rrezikut të lindjes së diktatorëve si Hitleri në periudha krizash politike. “Kriza provokon frikë, alarm. Në opinionin tim, shembulli më i pastër i populizmit evropian është Gjermania në 1933. Në kohë krizash, ne na mungon gjykimi dhe kjo është një referencë e vazhdueshme për mua,” u shpreh Papa. Kreu i Kishës Katolike dënoi përdorimin e mureve dhe telave për të mbajtur të huajt jashtë një vendi, një referencë ndaj deklaratave polemizuese të Donald Trump gjatë fushatës së tij presidenciale. Sidqoftë, Ati i Shenjtë gjithashtu u shpreh se është ende herët të gjykojmë liderin e ri amerikan. “Nuk më pëlqen të gjykoj njerëzit para kohe. Do të shohim si ai vepron, çfarë ai bën dhe më pas unë do të krijoj një opinion,” thotë Papa, i cili kërkon që Trump të udhëhiqet nga vlerat morale gjatë presidencës së tij dhe të kujdeset për të varfërit dhe të përjashtuarit. “Nuk është punë e mençur të kesh frikë apo të festosh para kohe,” shton Ati i Shenjtë.

Artikulli paraprakBRESHËRI PLUMBASH NDAJ VËLLEZËRVE SHQIPTARË,NJE I PLAGOSUR
Artikulli tjetërPESË GJYKATËS NGA SHKODRA DO TË GJYKOJNË DRITAN DAJTIN