Pas mbledhjes me grupin e deputetëve të Bardhit, Berisha tha se do të respektojë vendimin e Kuvendit mbi kërkesën e SPAK ku kërkohet autorizim për heqjen e lirisë së tij, duke caktuar masë “arrest me burg” ose “arrest shtëpie” si person i akuzuar për korrupsion pasiv për privatizimin e kompleksit Partizani.
Ai vijoi me akuzat e tij ndaj prokurorëve të SPAK, duke e e quajtur anti-ligjore masën “ndalim të daljes jashtë vendit” të vendosur ndaj tij. Por ajo që vlen të theksohet është se ish-kryeministri pavarësisht se shprehet se do ta respektojë vendimin e Kuvendit, shton gjithashtu se mosbindja civile e deputetëve dhe kaosi në seancë do të vazhdojë, duke nënkuptuar se ligjvënësit e Rithemelimit dhe grupit të Bardhit nuk do e votojnë kërkesën e SPAK-ut.
“Janë të gjithë në unison se ky vendim, bazohet në një vendim antikushtetues, anti-ligjor të mëparshëm të SKAP-it dhe gjykatëses së shkarkuar nga unë me 8 shkurt 1996. Duke thënë këtë, siç theksova para 2 orësh, vitin 2012 jam angazhuar në një nismë së bashku me qeverinë e kohës për abrogimin e nenit të kushtetutës që i jep imunitet deputetëve ndaj veprimeve të gjyqësorit. Nuk kam ndryshuar mendim se ajo përpjekje e imja ka qenë e drejtë. Vendimi i parlamentit do të respektohet nga unë. Kushtetutshmëria kërkon që parlamenti të ndryshojë kushtetutën dhe të vendosë që mos të ketë mbrojtje për deputetët. Cilido të jetë vendimi i parlamentit do ta respektoj. Nuk ka asnjë ndryshim të mosbindjes civile në parlament. Grupi është plotësisht dakord me ato që mendoj unë. Ju e keni parë se prej javësh opozita nuk voton më në Kuvend”- tha Berisha.