Kërkesat për azil, Shqipëria në mesin e 10 vendeve me numrin më të lartë
Zyra europiane për azil ka publikuar raportin vjetor, sipas të cilit vendi ynë është një ndër 10 vendet me numrin më të lartë të kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Europian. Shqiperia për 2016 ka pasur rreth 3 përqind të totalit të aplikacioneve, duke u radhitur pas Sirisë, Afganistanit dhe Irakut por në krah me Somalinë dhe Eritrean. Megjithatë Shqipëria është edhe vendi me reduktimin më të lartë të shifrave të azilantëve krahasuar me 2015, por kjo nuk na zbret nga lista e dhjetëshes me numrin më të lartë të aplikimeve për azil. Shqipëria ndodhet në mesin e 10 vendeve me numrin më të lartë të kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Europian. Të dhënat janë paraqitur në raportin vjetor të zyrës europiane për azil, publikuar në faqen e saj zyrtare. Në vendin e parë ndodhet Siria, ku kërkesat për azil nga ky vend përbejnë 26 përqind të totalit të aplikacioneve në Bashkimin Europian. Afganistani renditet në vendin e dytë, me 15 përqind të totalit, pasuar nga Iraku me 10%. Më pas vjen Pakistani me 4%, Nigeria po 4%, Irani 3%, Eritrea 3%, Shqipëria 3% , Somalia 2% dhe Rusia 2%. Gjashtë vite pas fillimit të konfliktit në Siri, numri i aplikimeve për azil i paraqitur nga sirianët në vitin 2016 arriti në 242 mijë, një renie me 11 përqind krahasuar me një vit më parë. Siria ka mbetur shtetësia kryesore e aplikantëve të mbrojtjes ndërkombëtare që nga viti 2013. Raporti tregon dhe ilustron me grafikë se rritje të aplikantëve për azil gjatë 2016 ka shënuar Nigeria dhe Irani, të pasuar nga Guinea, Maroku dhe Bregu i Fildishtë. Kurse reduktimet më të mëdha janë shënuar në Shqipëri, Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi. Aplikimet e shtetasve të Ballkanit Perëndimor ranë në 2016 pasi BE u përball me një fluks masiv refugjatësh gjatë gjysmës së parë të 2015. Parvarësisht zvogëlimit, aplikantët shqiptarë kanë mbetur në mesin e 10 vendeve me numrin më të lartë të aplikanëtve për azil në vendet e Bashkimit Europian. Gjatë 2016, gjithsesj ka pasur rreth 1.3 milionë aplikime për mbrojtje ndërkombëtare në BE, duke shënuar një rënie prej 7% krahasuar me vitin 2015, kur u paraqitën afër 1.4 milion aplikime. Vendet kryesore pritëse janë Gjermania, Italia, Franca, Greqia dhe Austria.