Kerkime për autorin e bombës që plagosi 22 vetë

Qindra policë britanikë janë duke zhvilluar një kërkim masiv këtë të premte, në garën për të zbuluar se cili ishte personi që vendosi një bombë artizanale në një stacion metroje të Londrës, në orët e para të mëngjesit të sotëm. Shpërthimi, i konsideruar nga policia si një sulm terrorist, shkaktoi plagosjen e 22 personave dhe gjithashtu panik mes njerëzve që nxitonin të shkonin nëpër punët e tyre, të cilët edhe u përplasën me njëri-tjetrin. Ekspertët thonë se Londra i ka shpëtuar një masakre më të madhe, pasi mësohet se bomba ka shpërthyer vetëm pjesërisht. “Kjo ka qenë qartësisht një pajisje që synonte të shkaktonte një dëm të konsiderueshëm”, tha kryeministrja Theresa May pas kryesimit të një takimit të Komitetit të Emergjencave “COBRA”. Policia ia vuri emrin sulm terrorist, i pesti që godet Britaninë gjatë këtij viti. Dëshmitarët e përshkruan skenën si një “mal me flakë”, pasi bomba e fshehur në një qese plastike brenda një termusi supermarketesh shpërtheu në orën 8:20 me orën lokale, kur treni ndodhej në stacionin “Parsons Green” në jugperëndim të Londrës. Gjithsesi nuk ishte një shpërthim i fuqishëm dhe, policia britanike si dhe zyrtarët e Shëndetësisë thanë se asnjëri prej të plagosurve nuk është dëmtuar seriozisht. Forcat e Policisë Metropolitane thonë se ende nuk është arrestuar askush, por qindra detektivë të ndihmuar nga agjentë të kundërzbulimit po shqyrtojnë pamjet e kamerave të metrosë, po zhvillojnë hetime mjekoligjore dhe po pyesin dëshmitarë. Ende nuk është e qartë nëse pajisja kishte për synim të shpërthente pikërisht në atë moment kur shpërtheu. Por vendi i shpërthimit ishte pranë një ambienti të gjelbëruar të qytetit, e jo pranë siteve kryesore turistike të Londrës. Mediet britanike raportojnë gjithashtu se bomba kishte edhe një pajisje kronometrimi.

Artikulli paraprakSHQIPTARI VRET ISH GRUAN, LË FËMIJËN JETIM
Artikulli tjetërARRESTOHET I FORTI I BULQIZËS,PERPLAS MAKINEN E POLICISE