Kërkohet arrest shtëpie për shqiptarin e dënuar me 20 vjet burg për vrasje

Avokati mbrojtës i Fatmir Hykajt, shqiptari i dënuar me 20 vjet burg për vrasje në Itali, ka kërkuar arrestin në shtëpi për klientin e tij. Hykaj është dënuar për vrasjen e Marco Montruccolit më 2 shkurt 2015 në Forche di Quattro Castella. Detajet e kërkesës së avokatit ende nuk njihen. Ndër motivet e mundshme mund të jetë lindja e fëmijës së Hykajt kohët e fundit. Lajmi ka shkaktuar zemërimin e familjarëve të viktimës, të zhgënjyer që nga dënimi i dhënë për shqiptarin në maj, kur gjykata e dënoi për vrasje me tejkalim të vetëmbrojtjes legjitime. I njëjti gjyq dënoi me gjashtë vjet burg Daniel Tufën, për vrasje të mbetur në tentativë. Që nga qershori, Tufa është në arrest shtëpie. Fatmir Hykaj dhe Daniel Tufa në natën e 2 shkurtit 2015 shkuan në shtëpinë e vëllait të viktimës, Matteo Montruccoli, të cilin e përdornin si shpërndarës droge. Në gjyq, Matteo tha se kishte vendosur të hiqte dorë, por dy shqiptarët ushtronin presion mbi të dhe ishin agresivë. Atë natë, duke e ditur se do t’i shkonin në shtëpi, ai thirri Marcon, për të shmangur çdo sherr të mundshëm. Megjithatë, situata midis palëve u rëndua dhe pas shkëmbimit të grushtave, sherri u shpërngul në kuzhin. Aty Hykaj mori dy thikat më të mëdha që gjendeshin dhe goditi 15 herë Marcon, ndërsa Tufa plagosi Matteon.

Artikulli paraprakPOLICIA: GREQIA KA KTHYER MBI 1.000 SHQIPTARË PA DOKUMENTE QËNDRIMI
Artikulli tjetërI GJENDEN 1300 PAKETA, ARRESTOHET PËR KONTRABANDË NJË 51-VJEÇAR