Një 48-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për “Grabitje me dhunë” dhe “Kanosje” është vënë në pranga mëngjesin e sotëm në pikën kufitare të Morinës. Arrestimi i 48 vjeçarit është bërë me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë.
“Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar: A. D., 48 vjeç, banues në Istog, Kosovë.
Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga NCB Wiesbaden Gjermani, për veprat penale “Grabitje me dhunë” dhe “Kanosja”. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957″, ka njoftuar policia.