Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi dhe psikologen Elona Meçani,
të përfshirë në një aferë korruptive të publikuar disa ditë më parë dhe të denoncuar në një emision investigativ.
Meçani dyshohet se bënte rolin e sekseres, ndërsa në videon e bërë publike, gjyqtari Hysi, duket ku merr 500 euro, ndërsa kërkon nga denoncuesja edhe favore seksuale.
Gruaja ishte divorcuar dhe kërkonte kujdestarinë e fëmijës, çështje kjo e cila ishte në dorë të Hysit. Gjyqtari dhe psikologia u arrestuan pas denoncimit të skandalit ndërsa KLGJ vendosi pezullimin e tij nga detyra.
Seanca te Apeli i Krimeve të Rënda këtë të premte është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ka zgjatur vetëm pak minuta.
Gjyqtari dhe psikologia akuzohen për “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve dhe prokurorëve”, si dhe për “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm të funksionarëve”.