1. Ç’duhet të bëjmë në rast tërmeti?
(Elona Hasko, Eksperte për çështje të fëmijëve/Psikanaliste)
• Specialistët e inxhinierisë, sizmiologjisë, ndërtimit, etj, na sugjerojnë gjithmonë, që gjatë kohës që bie tërmet, duhet të ruajmë qetësinë, të mos lëvizim nga vendi ku jemi ose nëse mundemi të vendosim menjëherë poshtë tavolinave, krevatit apo pjesëve të qëndrueshme të shtëpisë, zyrës, ambientit ku ndodhemi.
• Kur të përfundojnë lëkundjet, menjëherë sapo kuptojmë që tërmeti ka pushuar duhet të dalim nga ambienti ku jemi dhe të drejtohemi në vende të hapura, larg shtëpive, pallateve, pemëve, objekteve të forta.
• Duhet të bëhet kujdes gjatë daljes nga banesa, zyra, ambienti ku jemi, të lëvizet me kujdes nëpër shkallë e të mos përdoret ashensori, si dhe të bëhet kujdes që askush, sidomos fëmijët të mos vriten gjatë daljes nga banesa.
2. A duhet të tregojmë të vërtetën rreth tërmetit?
(Elona Hasko, Eksperte për çështje të fëmijëve/Psikanaliste)
• Po, gjithmonë fëmijëve duhet t’u tregojmë të vërtetën, por me fjali të thjeshta, të përmbledhura dhe të kuptueshme për ta.
• Duhet t’u tregojmë se tërmetet janë dukuri natyrore, që ndodhin përtej vullnetit dhe kontrollit tonë, por ne mundemi të marrim masa që tërmetet të mos na dëmtojnë ose kur janë shumë të fortë të dëmtojnë sa më pak të jetë e mundur.
• Duke iu treguar të vërtetën nuk i lëmë fëmijët të drejtohen drejt burimeve të pavërteta, të pasigurta që mund të shtojnë më shumë panikun.
• Informacionet shkencore, nga burime të sigurta, mund të ndihmojnë që fëmijët të kuptojnë më mirë këtë fenomen natyror e të lehtësojnë ankthin që mund të kenë përjetuar.
• Mësuesit në shkolla mund të japin një ndihmë në drejtim të kuptimit të këtij fenomeni dhe masave që mund të merren për ta menaxhuar atë gjatë dhe pasi ndodh duke ndihmuar dhe prindërit, familjet, kësisoj të qartësojnë dhe lehtësojnë frikën, ankthin e fëmijëve.
3. Si mund t’ua shpjegojmë fëmijëve tërmetin 3-10 vjeç?
(Albana Xhemali, Psikologe)
• Në rastin re ngjarjeve natyrore, të pashpjegueshme si tëmetet, fëmijët mund të përjetojnë regres si pasojë e gjëndjes së ankthit dhe stresit që shkakton situata. Ndryshe nga të rriturit fëmijët, veçanërisht ata më të vegjël se 5 vjeç, nuk arrijnë të kuptojnë situatën dhe gjithashtu e kanë të vështirë të shprehen në lidhje me përjetimet e tyre. Duhet t’u shpjegojmë fëmijëve që ngjarja që ndodhi është një dukuri natyrore duke i thënë vazhdimisht që tani ata janë më të sigurtë. Ndjenjat e fajit te fëmijët janë gjithashtu të pranishme. Duhet të jemi të vëmendshëm dhe të bëjmë kujdes nëse fëmija ndihet fajtor. Duhet t’u themi që ajo që ndodhi nuk u shkaktua prej tyre dhe gjithashtu t’i qëndrojmë afër dhe të përgjigjemi ndaj nevojave që fëmija ka. Fëmijët pyesin shumë rreth asaj që ndodhi, pse ndodhi, a janë më të sigurt tani, etj. Ata janë të paqartë rreth situatës, mund të thonë që janë mirë, nuk janë të friksuar etj. Por në vizatimet e tyre ata tregojnë se janë ende të tronditur.
• Në situata të zakonshme fëmijët ndihen të sigurt kur prindërit i kanë pranë. Por në një situatë ku ndodhin dukuri të pashpjegueshme, fëmijët ndodhen në një territor të pasigurtë dhe kërkojnë t’i japin shpjegim asaj çfarë ndodhi.
• Nëse i themi fëmijëve që gjithçka mbaroi, dhe mundohemi t’u shmangemi pyetjeve që ata bëjnë, ndoshta kjo është e gabuar, sepse mund të rriste ankthin e tyre. Por ne mund t’u themi fëmijëve atë që sugjerohet prej specialistëve teknikë dhe të inxhinierisë, si p.sh.: “ Lëkundja më e madhe kaloi, mund të ketë tërmete të vogla, por ne tani jemi të sigurt”. Është e rëndësishme t’iu tregojnë fëmijëve vazhdimisht se tashmë janë më të sigurt dhe gjithashtu që jemi pranë tyre. Një përqafim në këto raste do ishte diçka e mirë.
• Fëmijët më të rritur se 5 vjeç mund t’i pyesim (duke qënë se janë më të aftë për të formuluar fjali që shpjegojnë gjendjen e tyre emocionale) se si e përjetuan ata ngjarjen. Mund të pikturojmë së bashku me ta, sepse kjo gjë i ndihmon. Edhe nga përvoja e deritanishme kam vënë re se fëmijët të cilët kishin përjetuar tërmetin e tregonin qartë në vizatime përjetimin e tyre dhe gjithashtu ato treguan se si e perceptonin ngjarjen.
4. Si ta menaxhoj panikun e fëmijëve të mi dhe si të suportojmë ankthin
(Elona Hasko, Eksperte për çështje të fëmijëve/Psikanaliste)
• Është e rëndësishme të flitet me fëmijët mbi frikën që ka shkaktuar tërmeti, kjo është mënyra më e mirë për të lehtësuar panikun dhe përballuar ankthin.
• Prindërit duhet t’iu thonë fëmijëve se është krejt normale të kemi frikë apo ankth pas një tërmeti, të ndjehemi të mërzitur, të trishtuar, etj.
• Të folurit, të diskutuarit, të hulumtuarit e informacionit apo artikujve nga burime serioze/shkencore mbi fenomenin e tërmetit nga prindërit dhe fëmijët së bashku mund të ndihmojë të kuptuarit e fenomenit, masat që merren për përballimin e tij, etj. Gjetja e informacioneve të sakta mund të ndihmojë fëmijët, sidomos të menaxhojnë ankthin, se pas një tërmeti të fortë pritet të ketë të tjerë, të lehtë por që nuk dëmtojnë.
• Prindërit duhet t’u komunikojnë fëmijëve se është normale të ndjejmë e të kuptojmë se tërmeti është një situatë që nuk mund ta parandalojmë apo ta kontrollojmë të ndodhi, por ne mund të marrim masa të kujdesemi për veten që ai të mos na dëmtojë fizikisht.
• Prindërit duhet t’iu japin kurajo fëmijëve, t’iu kërkojnë të bëjnë pak durim dhe t’iu komunikojnë se mund të kalojë pak kohë derisa të ndjehemi mirë sërish.
• Prindërit duhet të të përfshihen më shumë me fëmijët në lojëra dhe në aktivitete argëtuese, të cilat ndihmojnë shkarkimin e frikës, zemërimit, stresit, angushtisë, etj.
5. Kë besojnë më shumë fëmijët: Gjyshërit apo prindërit?
(Nga Oltjana Sadiku Shehaj, Mësuese dhe Elona Hasko, Eksperte për çështje të fëmijëve/Psikanaliste)
• Fëmijët e vegjël janë më të predispozuar të besojnë më shumë prindërit e tyre në gjithçka që u thuhet, duke marrë në konsideratë faktin që gjyshërit janë më shumë mbështetës të vendimeve të prindërve.
• Gjyshërit mund të jenë dhe kanë qënë ndihmë e madhe për fëmijët pas traumës së tërmetit, duke ndihmuar familjet me strehimin, përkudesjen e fëmijëve. Gjithashtu, një pjesë e fëmijëve mund të jenë shumë të lidhur me gjyshërit e të kalojnë mjaft kohë me ta, e për rrjedhojë mund t’iu besojnë më shumë gjyshërve. Kjo është diçka e mirë dhe thjesht prindërit duhet të komunikojnë me gjyshërit se si ata do ua shpjegojnë nipërve/mbesave të tyre fenomenin e tërmetit, në mënyrë që sqarimet të ngjasojnë me njëri-tjetrin.
• Gjyshërit për nga natyra janë më të qetë në shpjegimin e situatave të rrezikut dhe kanë prirjen të zbusin rëndesën e ngjarjeve dhe janë më të matur në reagime, ndërsa prindërit duke patur përgjegjësi të drejtpërdrejtë për jetën e fëmijës se tij ka ngarkesë emocionale që pa dashur e tejçon te femija, prandaj ndihma dhe roli i tyre në përballimin e kësaj ngjarjeje mund të jetë edhe më e dobishëm.
6. A e përjetojnë njësoj tërmetin të rriturit dhe fëmijët?
(Albana Xhemali, Psikologe)
• Nuk mendoj se fëmijët e përjetojnë njësoj tërmetin si të rriturit. I rrituri tashmë ka një përvojë dhe gjithashtu ka informacion në lidhje me situatën dhe dukuritë natyrore. Si të rrirur kemi më shumë përgjegjësi dhe ankthi rritet kur na duhet të mendojmë për fëmijët dhe personat e tjerë përreth. Ndërkohë fëmijët kanë nevojë për siguri, dhe kjo siguri thyhet kur ndodhë një dukuri e tillë si tërmeti. Fëmijët shprehen më pak se të rriturit në lidhje me ngjarjen, mund të mos e kuptojnë dot një dukuri si tërmeti dhe tek fëmijët e vegjël ndjenjat e fajit mund të jenë të pranishme pasi mund të mendojnë se janë ata qe kanë shkaktuar ngjarjen. Gjithashtu mund të ndodhë që fëmijët të marrin rolin e një të rrituri dhe të marrin vetë përgjësi që nuk u takojnë.
7. Si dhe sa ndikon mekanizmi i shpresës dhe rinisjes së jetës?
(Miranda Doksani, Psikoterapiste/Specialiste e shëndetit mendor)
• Shpresa është e rëndësishme për mirëqënien tonë mendore. Neuroshkencëtarët që merren me studimin se si ndikon shpresa në trurin e njeriut kanë dalë në përfundimin se një ndjenjë shprese e ndryshon trurin. Truri pompon kimikate kur provon ndjesinë e shpresës. Këto kimikate mund të bllokojnë dhimbjen dhe të përshpejtojnë shërimin. Rezultati është se truri mund të kapërcejë pengesat dhe të rimëkëmbet. Shpresa sjell një gjendje më pozitive të kapërcimit të vështirësive, apo traumave. Shpresa strukturon jetën tonë në pritje të së ardhmes dhe ndikon në mënyrën se si ndihemi në të tashmen.
• Mënyra në të cilën një person shpresëdhënës përballon zhgënjimin ndryshon nga ata që nuk janë. Edhe nëse e tashmja është e pakëndshme, mendimi për një të nesërme pozitive ul ndjeshëm stresin, rrit besimin dhe zvogëlon ndikimin e ngjarjeve negative. Në trauma e fatkeqësi kolektive shpresa merr një rëndësi shumë të madhe në perballimin e situatës, uljen e efekteve negative të traumës dhe risjell te viktimat kuptimin e jetës.
8. Si duhet të sillemi me fëmijët?
(Albana Xhemali, Psikologe)
• Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj çdo përjetimi dhe emocioni që fëmijët shfaqin. Së pari duhet të kuptojmë çfarë di fëmija për atë që ndodhi dhe si e përjetoi ai tërmetin. Mund t’i pyesim fëmijët :Çfarë ndodhi? A e dini ju se çfarë është tërmeti? Çfarë po bëje ti në momentin që ndodhi ngjarja? Gjatë ditëve në terren disa fëmijë ishin në gjendje të më tregonin se çfarë bën ata dhe të afërmit e tyre në çastin kur ra tërmeti. Fëmijët tentojnë të tregojnë se nuk patën frikë, veçanërisht ata mbi moshën 5 vjeç. Në një situatë të tillë mund t’iu themi që të kesh frikë është normale, mund t’iu tregojmë se dhe ne të rriturit u frikësuam. Por tani gjërat janë më të qeta dhe jemi më të sigurt.
• Evitoni ekspozimin ndaj tv dhe lajmeve të fëmijëve. Lajmet sigurisht na mbajnë të informuar por edhe mund të rrisin ankthin. Një pjesë e fëmijëve që kam takuar u shprehën me këto fjalë, “ A i pe lajmet, si ishim shkatërruar ato shtëpitë, i pe?”. Ndoshta na duket se fëmijët nuk kuptojnë, por përvoja na tregon se ata janë më të zgjuar dhe vigjilentë nga sa ne e mendojmë. Prandaj ajo çfarë mund të bëjmë është që t’i përfshijmë ata në aktivitete fizike si lojra me top, kërcim, t’i nxjerrim në parqe dhe mjedise të hapura.
• Të mundohemi që t’iu rikthejmë fëmijët në rutinën e përditshme, duke stabilizuar vaktet dhe duke i përfshirë ata në disa aktivitete që zhvillonin para se të ndodhte tërmeti.
9. Mund ta trajtojmë si lojë këtë fenomen?
(Nga Oltjana Sadiku Shehaj, Mësuese)
• Në shoqerinë shqiptare jemi mësuar që shpesh, situatat e rënda apo fatkeqësitë e mëdha t’i anashkalojmë duke mos i përmendur fare, duke mos i folur fëmijës për atë çka ndodhi. Një formë për të kaluar situata të tilla është të flasësh për fenomenin me qetësi duke e trajtuar çështjen në mënyrë sa më të kuptueshme për fëmijën.
• Tërmeti si fenomen nuk mund të konsiderohet lojë, as për më të vegjlit, por nëpërmjet lojës i tregon fëmijës aftësinë për të ndërtuar dhe si mund të shmangim shkatërrimin e asaj që sapo ndërtuam, apo si mund të reagojnë fëmijët gjatë një situatë të tillë. Lojrat me formuese, puzzle apo çdo instrument tjetër që ndodhet pranë mund të ndihmojë fëmijën për të kuptuar se sa bukur është të ndërtosh gjëra të mëdha.
• Nëpërmjet lojës i demostrohet fëmijës duke bërë prova praktike se çfarë reagimi mund të kemi në këto raste. P.sh. në kopshtet në Tiranë, në ditë të veçanta gjatë vitit akademik organizohen situata konkrete nga specialistë se si duhet të sillen fëmijët në raste emergjencash si: rënie zjarri, gjë që mund të shtrihet edhe më gjerë si stimulime në shkolla duke përfshirë se si duhet të sillemi gjatë dhe pas tërmeteve.
10. Sa siguri kemi për ripërsëritje?
• Tërmete ndodhin çdo vit në të gjithë botën. Kjo dukuri natyrore shkakton frikë e panik në popullatë për faktin se mund të sjellë dëme të mëdha materiale apo humbje të banesave apo ndertesave, si dhe mund të jetë aq i dëmshëm sa mund të marrë jetë njerëzish. Përsa i përket tërmetit të 26 Nëntorit, sizmologë vendas e të huaj me fakte shkencore, por dhe me krahasime të tërmeteve të rënë ndër vite, sigurojnë se rreziku për një tërmet të ngjashëm nuk mund të ndodhë. Kjo për fatin se pasgoditjet që kanë shqetësuar vendim po vijnë në ulje si në frekuencë ashtu edhe në intensitet.
11. Si të kthejmë buzëqeshjen tek fëmijët?
(Sonilda Barjamaj, Terapiste/Psikanaliste)
• Të kthesh buzëqeshjen tek fëmijët do të thotë t’u kthesh atyre perditshmërinë. Pasi të këtë kaluar rreziku fizik, fëmijëve duhet t’u shpjegohet me shumë delikatesë dhe me fjalë të kuptueshme për ta dukuria e tërmetit dhe të merren masa për frikën, ankthin dhe panikun, përjetime shumë të mundshme në raste të tilla është e rëndësishme që fëmijët t’i kthehen jetës normale. Ata duhet t’u kthehen rutinave të tyre të përditshme si p.sh të shkuarit në shkollë/kopësht, realizimi i vizitave tek familjarët apo shokët e tyre, ndjekja e sporteve të caktuara apo aktiviteteve të ndryshme që i argëtojnë ata. Së bashku me kthimin në përditshmëri do të vijnë edhe buzëqeshjet. Sigurisht, që siguria, shpjegimi i dukurisë natyrore, menaxhimi i gjendjeve emocionale dhe rikthimi në përditshmëri nuk duhen marrë si procese të ndara nga njëri-tjetri, por si procese që bashkëndodhin.
• Prindërit duhet të bëjnë shumë kujdes me menaxhimin e emocioneve të veta në raste të tilla, pasi ndjenjat e frikës dhe panikut që ata mund të përjetojnë dhe mënyra se si i shprehin, por dhe i transmetojnë ato tek fëmijët e tyre mund të rëndojë përjetimet emocionale të fëmijëve.
• Një pjesë e femijëve dhe prindërve arrijnë t’i menaxhojnë shumë mirë situata të tilla, por të tjerë mund të kenë nevojë për ndihmë nga specialistët. Sa më herët të kërkohet kjo ndihmë, aq më mirë do të jetë për femijën.
Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMShC) fton vullnetarë të profilit të psikologjisë t’i bashkohen kësaj nismeje orientimi të këshillimit duke kontaktuar në inbox ose dërguar e-mail në adresën: info@amshc.gov.al
Çdo i interesuar për këshilla të mëtejshme, të kontaktojë në inbox apo adresën e-mail të mësipërme dhe do të njoftohet menjëherë për shqetësimin e tij.
#ShqipëriaSolidare