Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë dje (15 nëntor) në konferencën e nivelit të lartë me temë “Kapërcimi i kufijve, ndërtimi i së ardhmes: Integrimi në SEPA rrit përfshirjen financiare – duke mundësuar rritje ekonomike të qëndrueshme”, të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me rastin e 25-vjetorit të themelimit të saj.

Në këtë konferencë të pranishëm ishin edhe guvernatorë të bankave qendrore e drejtues të lartë të autoriteteve mbikëqyrëse të rajonit, si edhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare.

Konferenca e organizuar në qytetin e Prishtinës, u hap nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, si dhe u përshëndet nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Drejtorja e Përgjithshme e FMN-së, Kristalina Georgieva.

Punimet e konferencës u përqendruan kryesisht në: integrimin në SEPA; transformimin digjital dhe implikimet për shërbimet financiare; rritjen e stabilitetit financiar në një ambient në ndryshim; ndërmjetësimin financiar në sektorin bankar rajonal.

Sesioni i tretë i konferencës, ku Guvernatori Sejko ishte i ftuar të merrte pjesë si folës, u fokusua në trajtimin e temës “Roli i ndërmjetësimit financiar në sektorin bankar të Ballkanit Perëndimor dhe ndikimin e tij në zhvillimin ekonomik rajonal”. Paneli diskutoi lidhur me modernizimin e sistemeve të pagesave të nxitur nga prania e bankave të huaja dhe zgjerimi i adoptimit të bankingut digjital, vendimtar për nxitjen e përfshirjes financiare.

Sejko ndau me të pranishmit këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë lidhur me temën, duke theksuar se sigurimi i një sistemi pagesash të sigurt dhe efikas është në fokus të Bankës së Shqipërisë. Meqenëse objektivi kryesor i bankës qendrore është stabiliteti i çmimeve, një mjedis i sigurt për funksionimin normal dhe me sa më pak kosto për qytetarët, të pagesave sa më të shpejta është i domosdoshëm krahas nxitjes së ndërmjetësimit financiar.

Artikulli paraprakBIE NUMRI I BAGËTIVE NË LEZHË
Artikulli tjetërBOKS, PRAG-BALLKANIADA E SERBISË