Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka vendosur që të reduktohet puna në gjykata si dhe të pezullohet bashkëpunimi në çdo aktivitet që organizohet, apo ku janë të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Kosovës. Këto vendime janë marrë në një mbledhje të jashtëzakonshme të mërkurën, ku kanë qenë prezentë edhe kryetarët e gjykatave. Vendimet e KGJK-së kanë ardhur pak orë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për miratim të Projektligjit për pagat, që parasheh zvogëlimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në nivelin e vitit 2017. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se projektligji krijon sistem të unifikuar të pagave për të gjithë personat që paguhen nga buxheti i shtetit. Kryesuesi i KGJK-së, Alban Zogaj, ka thënë se Këshilli është detyruar të marrë këtë vendim dhe ka paralajmëruar për veprime tjera nëse Qeveria nuk e anulon vendimin.
“Puna e gjykatave do të reduktohet dhe do të ofrohen vetëm shërbime esenciale. Lista e shërbimeve esenciale do të miratohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të enjten, më 24 nëntor”, ka thënë Zogaj në një konferencë të jashtëzakonshme për media. Këshilli ka thënë se vendimin e Qeverisë e konsideron si përpjekje për të ndikuar në punën e sistemit gjyqësor dhe për të zvogëluar pavarësinë e këtij sistemi.
“Vendimi i Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin gjyqësor është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës së Kosovës”, ka thënë mes tjerash Zogaj. Në vitin 2017, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati marrë vendim për rritje 100 për qind të pagave për kabinetin qeverisës. Me rritjen e pagave për zyrtarët e Qeverisë, rriten edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Më 2020, Kurti e pati shfuqizuar këtë vendim, mirëpo atëherë nuk janë prekur pagat në sistemin e drejtësisë. Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, paga mesatare mujore e punëtorëve të sistemit të drejtësisë arrin në deri 2.200 euro. Ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës – për një ulje të tillë pagash – ka reaguar edhe shoqëria civile, duke thënë se ulja e pagave për sistemin e drejtësisë paraqet ndërhyrje në drejtësi dhe rrit potencialin për korrupsion, prandaj ka kërkuar anulimin e vendimit.