Teksa grupi i Gazment Bardhit po bën të gjitha përpjekjet për të ndaluar rikthimin e Lulzim Bashës në drejtimin e Partisë Demokratike, grupi i këtij të fundit mban sot zgjedhjet për kreun e ri të partisë. Në këto zgjedhje PD po shkon e ndarë në 3 pjesë.

71 qendra votimit janë të hapura që prej orës 08:00 deri në 19:00, ndërsa anëtarët që do të votojnë duhet të paraqesin kartën e identitetit dhe kartën e anëtarësisë së Partisë Demokratike. Numri i anëtarëve që pritet t’u drejtohen sot kutive të votimit është reduktuar në më pak se 1/3 krahasuar me zgjedhjet e fundit të vitit 2021 në PD, nga rreth 75 mijë anëtarë demokratë, në 25 mijë.

Në zgjedhjet e sotme nuk priten surpriza, pasi përballë Lulzim Bashës është kandidati Gjergji Hani. Kandidati Gjergj Hani voton në orën 10.00 tek zyrat qendrore të PD, ndërsa Lulzim Basha në 11.00 pranë zyrave të degës 8 në Tiranë. Një ditë më parë, Kryetari i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana u ka bërë thirrje demokratëve që të votojnë, duke theksuar se procesi është legjitim.

“Ftesa ime për të gjithë demokratët është ti bashkëngjiten procesit të votimit. Ftesa është e hapur, legale, statutore, jo vetëm për ata që janë pjesë e listave të miratuara, por ftesa është e hapur për të gjithë demokratët që disponojnë dokumentet e anëtarësimit në PD”, tha Gjana.

Mbajtja e këtyre zgjedhjeve ka sjellë një tjetër përplasje brenda Partisë Demokratike zyrtare, ndërsa procesi po kundërshtohet ashpër nga një pjesë e rëndësishme e partisë e kryesuar nga Bardhi, të cilët e konsiderojnë një proces antistatutor. Një ditë më parë deputetët pro-Bardhi çuan në Gjykatë çështjen e PD-së, duke depozituar vendimin e Këshillit Kombëtar për anulimin e zgjedhjeve, përfshirë kërkesën për çregjistrimin e Lulzim Bashës që vijon të jetë kryetar i PD në regjistrin e partive politike.

Në përpjekje për të ndaluar zgjedhjet, Bardhi thirrje një mbledhje online të Këshillit Kombëtar ku 245 anëtarë votuan pro anulimit të zgjedhjeve, si edhe pezulluan funksionimin e Kryesisë së PD. Por, Kryesia e PD thotë se kjo mbledhje është antistatutore. Këto vendime e fusin Partinë Demokratike në një tjetër ngërç, pasi dy grupet brenda PD zyrtare po vijojnë me veprime të njëanshme. Grupi i Bardhit po përpiqet të pengojë Bashën që të vendoset sërish në krye të partisë, ndërsa grupi i Bashës vijon me vendosmëri rrugën për rikthimin e tij në drejtimin e PD dhe po mbajnë procesin zgjedhor.

Këshilli ka ngarkuar 7 deputetët që kërkuan anulimin e zgjedhjeve që të ndjekin të gjitha hapat ligjorë dhe statutor për zbatimin e vendimeve të Këshillit, si dhe për përfaqësimin e Partisë Demokratike, në rrugë ligjore për të kundërshtuar çdo akt që bie ndesh me vendimin. Ky vendim lë të hapur mundësinë që të kemi një tjetër përballje në gjykatë për fatin e PD, në kushtet edhe kur ende Gjykata e Shkallës së Parë nuk është shprehur me një vendim se kujt i përket partia, Rithemelimit apo grupit tjetër kundër Sali Berishës.

Kjo përplasje mes Partisë Demokratike zyrtare nisi për shkak të zgjedhjeve për kryetarin e ri. 7 deputetët Bledion Nallbati, Lefter Gështenja, Dashnor Sula, Xhelal Mziu, Helidon Bushati, Saimir Korreshi dhe Ramadan Likaj kërkuan anulimin e zgjedhjeve dhe kjo bëri që Bardhi të thërrasë Këshillin Kombëtar. Nga ana tjetër, Kryesia e partisë i hoqi vulën Bardhit dhe ia kaloi sekretarit Ligjor, Indrit Sefës.

Artikulli paraprakTEMPERATURA DERI NË 37 GRADË CELSIUS, PARASHIKIMI I MOTIT PËR SOT
Artikulli tjetërZBRITI NË NIVELE REKORD, KUSH E RRËZOI EURON? RREZIQET QË PËRBALLET EKONOMIA NGA FORCIMI I PAPRECEDENTË I LEKUT