Këshilli i qarkut Shkodër ka zhvilluar më 8 maj një mbledhje jashtë rendit të ditës, pas kërkesës për dorëheqje të sekretares së këshillit Edita Shoshi. Me miratimin e dorëheqjes së Shoshit, kryetari i qarkut Edmond Ndou ka propozuar në këtë detyrë, Stela Smajlin, që ishte kandidatja e vetme, e ardhur si propozim. Pas votimit të fshehtë, me 15 vota pro dhe 1 kundër, Smajli mori zyrtarisht detyrën e sekretares së këshillit të qarkut Shkodër. Ajo vjen nga një përvojë e mëparshme në fushën e mësuesisë, medias dhe menaxhimit e marketingut në turizëm. Ndërkohë ish sekretarja Edita Shoshi do të marrë një detyrë të re.
Përmes një statusi në rrjetin social, pas përfundimit të mbledhjes së qarkut, kreu i këtij institucioni Ndou shkruan: “Në mbledhjen e kësaj të mërkure të këshillit të qarkut Shkodër, miratuam dorëheqjen e sekretares së këshillit znj. Edita Shoshi dhe zgjodhëm pasuesen e saj në këtë detyrë, znj.Stela Smajli. Dua të falenderoj këshilltarët e pranishëm për votëbesimin e dhënë në këtë proces dhe për bashkëpunimin e treguar në vazhdimësi. Me falenderimin për bashkëpunimin në këto muaj, i uroj Znj. Shoshi suksese në detyren e re që do marrë përsipër.
Gjithashtu mbarësi në këtë bashkëpunim, i uroj edhe sekretares së re znj.Stela Smajli. Këshilli i Qarkut Shkodër mbetet një institucion që do të vazhdojë të kontribuojë dhe bashkëpunojë me të gjitha bashkitë e qarkut, për të mirën e komunitetit”. Ndërkohë një reagim bëri edhe sekretarja e re e qarkut Smajli e cila shkruan: “Prej ditës së sotme, për mua nis një angazhim i ri profesional, në detyrën e sekretares së Këshillit të Qarkut Shkodër. Gjej rastin të falenderoj përzemërsisht për propozimin dhe besimin e dhënë, kryetarin dhe çdo anëtar të Këshillit të Qarkut. Nga sot do të angazhohem maksimalisht me përkushtim dhe seriozitet në ushtrimin e kësaj detyre. Na shkoftë mbarë”.