
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në takimin Inagurues të Komitetit të Përbashkët Konsultativ me Komitetin Ekonomik dhe Social të BE, një hap i rëndësishëm ky në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë.
Ky takim mbledh së bashku përfaqësues të punëdhënësve, punëmarrësve dhe shoqërisë civile për të forcuar dialogun social dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe BE-së.
Rama shprehu mirënjohje që BE i ka dhënë mundësinë Shqipërisë të bëhet pjesë e kështjellës së saj.
“Është hera e parë që yjet tona janë në një linjë me yjet e BE-së edhe për të ardhmen dhe perspektivës, por edhe për të tashmen. BE ka qenë i kujdesshëm të thotë se vendi yn është në Evropë, që horizonti është vendi ku do të bashkohemi, por s’e kemi ndjerë kurrë gatishmërinë për ta bërë këtë realitet tani. Kjo lidhet jo vetëm me punën tonë të mirë, por edhe situatën e përgjithshem brenda kontinentit tonë dhe përtej tij. Por ajo që përpiqem të them çdo ditë bashkëpunëtorëve të mi dhe njerëzve, është që dera është hapur. Duhet të përfitojmë nga ky shans dhe të bëjmë maksimumin për të qenë brenda kur kjo derë të mbyllet sërish. Se kështjella hap dyert dhe më pas i mbyll dhe ka nga ata që kanë qenë më të shpejtë, kanë hyrë dhe e kanë gjetur brenda veten kur dera është mbyllur.
Ka shumë njerëz që përpiqen të thonë se nuk do të ndodhë, por ajo që përpiqemi t’ju themi është që të bëjmë më të mirën për t’i vënë të gjitha energjitë në këtë drejtim. Thonë është iluzion e propagandë, kur s’ka ndodhur në 12 vjet, pse duhet të ndodhë në 4 vite, por këta njerëz nuk janë të informuar se Mali i Zi ka çeluar negociatat që në 2012, Serbia në 2024, RMV kishte një emër tjetër kur u bë vend kandidat dhe sot ne e gjejmë veten tonë në pararojë pasi çelëm negociatat vitin e kaluar dhe këtë vit, kemi shans të mirë të hapim grupkapitujt.”, u shpreh Rama.