KF Shiroka ka nisur të mendojë për gjysmën e dytë të sezonit. Skuadra shkodrane duket se e ka shumë seriozisht në realizimin e objektivave të saj dhe si rrjedhojë, synon që të bëjë ndryshime cilësore për pjesën e mbetur të kampionatit. Kështu, nga sa mësohet nga burime të “Star Plus TV”, presidenti i klubit ka vendosur që të afrojë si trajner të këtij ekipi për gjysmën e dytë të sezonit një italo-argjentinas. Në fakt, bëhet fjalë për Matias Tatangelo, një trajner 39-vjeçar me shumë përvojë, i cili më përpara ka punuar me ekipe të ndryshme në Superligën e Ekuadorit, në Peru, Kolumbi dhe Argjentinë. Tatangelo pritet të nisë së shpejti punën me ekipin dhe në ditët në vazhdim pritet edhe zyrtarizimi i tij në krye të KF Shirokës. Ndërkohë, trajneri i mëparshëm Fatmir Axhani do të vijojë të jetë në bordin e KF Shiroka.
Trajneri italo-argjentinas Tatangelo do mundohet të bëjë më të mirën me kontigjentin e futbollistëve që ka në dispozicion, teksa normalisht në ditët e ardhshme të merkatos priten edhe afrime. Nga sa mësohet, presidenti i KF Shiroka po kërkon futbollistë cilësorë për gjysmën e dytë të sezonit dhe në ditët në vijim pritet të bëhen realitet edhe disa afrime. Në fakt, përveç trajnerit, presidenti i klubit ka afruar edhe dy futbollistë të njohur shkodranë dhe bëhet fjalë për dy mesfushorët Elidon Dulaj dhe Eraldo Deda. I pari, deri në verën e këtij viti ka qenë pjesë e Vllaznisë, por më pas u largua drejt Luftëtarit të Gjirokastrës, skuadër me të cilin luajti gjysmën e parë të sezonit.
Megjithatë, tashmë mesfushori 23-vjeçar ka vendosur të rikthehet sërish në Shkodër, këtë herë për t’u bërë pjesë e KF Shiroka për gjysmën e dytë të sezonit. Ndërkohë, edhe Eraldo Deda pritet të jetë një përforcim tjetër i kësaj skuadre, teksa pjesën e parë të sezonit ishte pjesë e ekipit të Rahovecit në Kosovë. Në vazhdim, pritet të zyrtarizohet gjithçka nga ana e KF Shirokës, si afrimi i trajnerit italo-argjentias, ashtu edhe firmat me futbollistët e ardhur. Ky ekip e ka mbyllur fazën e parë në vendin e tretë jo shumë larg kreut dhe prandaj në fazën e dytë, drejtuesit kërkojnë një marsh tjetër për të siguruar ngjitjen një kategori më lart.