KF Shiroka ka marrë një fitore të thellë në javën e gjashtë të kampionatit kombëtar të Kategorisë së Tretë. Ekipi i drejtuar nga trajneri Fatmir Axhani dhe zv/trajneri Valmir Kurti mposhti Klosin me rezultatin 4-0, në sfidën e luajtur në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës. Shiroka e nisi në mënyrën më të mirë, teksa kaloi në avantazh që në minutën e gjashtë me Muliun, i cili shndërroi në gol një penallti. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 në favor të Shirokës. Ndërkohë, me fillimin e së dytës, Muliu shënoi një supergol nga mesi i fushës, duke e çuar rezultatin në 2-0 për Shirokën.
Avantazhi prej dy golash për Shirokën thellohet edhe më tepër, teksa Ogungbire dhe Amponsah shënojnë edhe dy herë të tjera dhe përfundimisht, u fiksua rezultati 4-0 në favor të Shirokës. Pas ndeshjes, zv/trajneri Valmir Kurti dhe futbollisti Rinor Peku u shprehën të kënaqur me këtë fitore në shtëpi.
Në këtë mënyrë, KF Shiroka merr një fitore shumë të rëndësishme, e cila është e dyta në këto gjashtë javë kampionat dhe tashmë shkon në kuotën e shtatë pikëve, duke u pozicionuar në vendin e pestë me pikë të barabarta me Bulqizën e vendit të katërt.