Një nga disfatat më të mëdha sa i përket sportit në Shkodër ishte rënia e Vllaznisë nga Kategoria Superiore. Edhe pse me një buxhet të majm për sezonin që sapo përfundoi,
Vllaznia nuk mundi të sigurojë mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar. Kjo ishte një dramë jo vetëm për qytetarët dhe sportdashësit shkodranë, por për sportin shqiptar në të tërësi.
Ndërkohë Klubi i Futbollit Vllaznia sh.a reagoi me një deklaratë duke kërkuar ndjesë publike ndaj të gjithë tifozëve dhe sportdashësve në Shkodër.
Në këtë deklaratë bëhej me dije se shumë shpejt do të merreshin masa ndaj përgjegjësve si stafi i KF Vllaznia sh.a., futbollistet dhe stafi teknik.
Nga sa bëhet me dije drejtuesit e klubit shkodran kanë vendosur të mos presin që gjërat të rrjedhin normalisht, por kanë menduar të nisin me marrjen e masave pas dështimit në fund të këtij sezoni.
Masat e para që pritet të merren kanë të bëjnë me rishikimin e kontratave të lojtarëve që ishin pjesë e skuadrës këtë sezon. Më pas pritet të ketë dhe penalizime për lojtarët, që flitet se do marrin gjoba por nuk përjashtohet mundësia e mos dhënies së rrogave të muajit maj.
Kjo është më e pakta që drejtuesit shkodranë mund të bëjnë pas kësaj disfate, duke ditur se humbjet qenë të mëdha .
Por pavarësisht se nga Klubi i Futbollit Vllaznia bëhet me dije sa i përket masave që do të merren por në pikëpyetje mbetet nëse vetë lojtarët do të vazhdojnë të qëndrojnë tek Vllaznia pasi një pjesë e konsiderueshme e futbollistëve që kanë firmosur në janar të këtij viti afati përfundimtarë i kontratës së tyre mbaronte me mbylljen e Superligës.
E natyrisht pjesa më e madhe e tyre kanë marrë me kohë oferta të ndryshme për tu aktivizuar në ekipe të tjera dhe qendrimi tek ekipi i Vllaznisë duket se nuk është në planet e tyre aq më tepër që tashmë skuadra kuqeblu sezonin e ardhshëm do të luaj në kategorinë inferiore.
Gjithsesi rënia në një kategori më poshtë mund të ketë ndikimin e saj direkt edhe tek e ardhmja e shumë prej lojtarëve, e po ashtu edhe te rishikimi i pagave por deri në momentin që këto masa ndëshkimore të bëhen faktike na mbetet të presim.