Këshilli i Europës i kërkoi sot Greqisë të merrte masa urgjente përballë një situate të rëndë në kampet e imigrantëve në ishujt e Detit Egje dhe kritikoi një ligj të kontestuar për të drejtën e azilit, para votimit në Parlament.

Në përfundim të një vizite pesë ditore në kampet e Lesbos dhe Samos, më të mbipopulluarat e ishujve të Detit Egje, komisionerja për të drejtat e njeriut të Këshillit të Europës, Dunja Mijatovic u shpreh e tronditur nga kushtet e tmerrshme higjenike në të cilat jetojnë azilkërkuesit.

“Imazhi është tronditës për Europën e shekullit XXI”, theksoi ajo në një konferencë shtypi, disa orë para votimit në Parlament të një projektligji që parashikon ashpërsimin e procedurës së azilit.

“Situata e imigrantëve, duke përfshirë azilkërkuesit, në ishujt grekë është tronditëse dhe në prag të katastrofës”, nënvizoi ajo.

Më shumë se 34 000 persona jetojnë në kampet e pesë ishujve grekë që kanë një kapacitet prej 6 300 personash.

Komisionerja kërkoi masa urgjente për t’i bërë ballë kushteve shumë të këqija, në të cilat jetojnë mijëra jetë njerëzore.

Artikulli paraprakSHITJET BOTËRORE TË SMARTFONËVE NË RRITJE TË LEHTË
Artikulli tjetërSKANDALI ME CAMBRIDGE ANALYTICA/ FACEBOOK GJOBITET ME 644 MIJË DOLLARË