Sulmi me raketa kundër komandës së marinës ruse në Krime javën e kaluar, shkaktoi vdekjen e 34 oficerëve, përfshirë komandantin e flotës, tha të hënën Ukraina, ndonëse nuk ofroi prova që mbështesin pretendimet e saj. Forcat e Operacionit Special të Ukrainës thanë në aplikacionin e mesazheve Telegram se goditja kundër ndërtesës kryesore të selisë së flotës së Detit të Zi në qytetin port të Sevastopolit kishte plagosur 105 persona. Pretendimet nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur dhe kanë shumë dallime nga raportimet që vijnë nga Rusia.

Ushtria ruse tha fillimisht se një person ishte vrarë nga sulmi por më pas tha se ishte zhdukur. Moska nuk ka dhënë njoftime të tjera për sulmin e së premtes. Gadishulli i Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, ka qenë objektiv i shpeshtë i sulmeve ukrainase që kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një pushtim në shkallë të gjerë të Ukrainës 20 muaj më parë. Gjatë javëve të fundit, Ukraina ka shtuar sulmet ndaj objekteve detare në Krime, ndërkohë që kundërsulmi i verës shënon përparime të ngadalta në lindje dhe jug të vendit, tha Instituti për Studimin e Luftës me qendër në Uashington. Të shtunën, Ukraina ndërmori një tjetër sulm. Shifrat e larta të viktimave nuk përputhen me ato që shefi i zbulimit ukrainas, Kyrylo Budanov, i tha Zërit të Amerikës të shtunën, duke nënvizuar se të paktën nëntë persona ishin vranë dhe 16 të tjerë u plagosën në sulmin që shkrumboi ndërtesën.

Sipas pretendimeve të tij, Alexander Romanchuk, një gjeneral rus që komandonte forcat përgjatë vijës kryesore të frontit juglindor, ishte “në gjendje shumë të rëndë”. Raporti i ri tregon se është vrarë edhe shefi i flotës, Viktor Sokolov, megjithëse nuk u ofruan prova mbështetëse. Emri i tij nuk u përmend në deklaratën e Forcave të Operacionit Special, por Anton Gerashchenko, këshilltar i ministrit të punëve të brendshme të Ukrainës postoi në rrjetet sociale emrin e tij dhe një foto. Ushtria e Ukrainës ofroi gjithashtu më shumë detaje rreth sulmit të së premtes duke thënë se forcat ajrore kryen 12 sulme kundër selisë së flotës ruse të Detit të Zi, duke vënë në shënjestër objektiva ku ishin përqendruar personeli, pajisjet ushtarake dhe armët. Ukraina tha se kishte goditur dy sisteme raketash kundërajrore dhe katër njësi të artilerisë ruse.

Artikulli paraprakAMBASADORI I RI I SHQIPËRISË NË SHBA NIS ZYRTARISHT DETYRËN
Artikulli tjetërTË MARTËN KOHËT E FUNDIT KENI QENË PAK I SHQETËSUAR… HOROSKOPI PËR DITËN E SOTME