Vetëm 30 minuta larg qytetit të Shkodrës, në të djathtë të fshatit Dajç, buzë vendit ku bashkohet lumi Drin me Bunën, ndodhet një tjetër monument kulturor i rëndësishëm . Është Kisha e Shirqit e cila gjatë viteve ka degraduar si mos më keq.
Para 10 vitesh ka pasur edhe një fasadë tjetër muri dhe një shtyllë, të cilat i ka shkërmoqur erozioni së bashku me varret që gjendeshin aty. Fasada e murit të mbetur është e bërë me gurë të latuar dhe me disa rreshta tullash të holla. Harqet janë tepër të veçanta.
Megjithëse ajo ç’ka mbetur është shumë pak.Kisha e Shirqit, në brigjet e lumit Buna, qëndron si monument i rrallë i arkitekturës mesjetare shqiptare, me mbi 700 vjet histori, por që uji po e dëmton çdo ditë.Historianet e kanë dokumentuar ndërtimin e saj në vitin 1290 nga mbreterësha frënge, Helene.
Ky vend ka qenë i preferuari i shumë prijësve të Ballkanit për ceremoni martesore, por sot ndodhet në rrezik nga harresa dhe uji që e përmbyt. Sipas historianëve, Kisha e Shirqit ka ruajtur formën e plotë të saj deri para 200 viteve. Që nga ajo kohë ajo është shkatërruar gradualisht. Shkatërrimi i plotë i saj konsiderohet të jetë bërë 10 vitet e fundit, pasi shteti nuk vuri dorë mbi të.
Në Xhaminë e Plumbit ende asgjë nuk ka ndryshuar. Ndërsa pritej që të niste ndonjë punim për ta vënë në zbatim atë projekt të ministrisë së kulturës miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve realisht situata është e njëjtë.
Kudo përreth xhamisë nuk ka nisur asnjë lloj ndërhyrje për restaurimin.Ky objekt kulti përveçse nuk ka njohur prej vitesh investime e riparime, tani nuk mund të frekuentohet nga besimtarët për shkak të situatës së shkaktuar nga përmbytjet e disa ditëve më parë. Prej vitesh ky monument kulture është neglizhuar dhe lënë në harresë.
Xhamia është e vendosur në pjesën e jashtme të ish- pazarit të Shkodrës, rrëzë kalasë Rozafat, në një livadh në rrafshinën e lumenjve Kir e Drin. Për nga forma e ndërtimit është frymëzuar nga xhamitë e sulltanëve të Stambollit. Kjo xhami është e vetmja në Shqipëri për nga lloji, që fillon me një oborr me kolona të gjera, para se të hysh në sallën e faljes.
Ndërtimi i kësaj xhamie, në këtë formë, ka të bëjë me atë që pashallëku i Shkodrës është në gjendje që edhe në ndërtimin e objekteve të kultit të thyejë të drejtën perandorake për të pasur një element të tillë. Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitit 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatliu, ajo është shpallur Monument Kulture në vitin 1973 dhe është e vetmja xhami e ngelur në këtë zonë nga periudha osmane.