Kisha katolike apel politikës: Angazhim kundër korrupsionit dhe drogës
Bashkë me urimin për Krishlindjen, Kisha Katolike ka përcjellë edhe një mesazh për politikanët, që ashtu siç treguan pjekuri për dakortësinë e arritur me reformën në drejtësi, ashtu të punojnë për të mirën e përbashkët, për një shoqëri më të drejtë. Mesazhin e përcolli, Arqipeshkvi u Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo, i cili kërkoi më shumë angazhim nga politika për të luftuar korrupsionin dhe drogën. Kisha Katolike i ka përcjellë një mesazh të fortë politikës shqiptare, që të angazhohet për të luftuar korrupsionin dhe drogën. Kjo thirrje e Arqipeshkvit të Tiranës dhe Durrësit Imzot George Frendo, erdhi bashkë me vlerësimin për arritjen e dakortësisë për reformën në drejtësi. “Ne u gëzuam kur partitë politike ranë dakord për reformen në drejtësi – ishte shenjë pjekurie politike, sepse politikanët duhet të kërkojnë të mirën e përbashkët më shumë sesa të mirën e partisë. I nxisim të angazhohen edhe më shumë për të kontrolluar plagën e korrupsionit dhe të drogës, dhe të tregojnë më shumë kujdes për të varfrit, që janë gjithmonë në zemrën e Krishtit”. Në urimin e tij të Krishlindjes, Imzot Frendo, tha se kjo ditë na angazhon të krijojmë një shoqëri më të drejtë dhe më vëllazërore, ndërsa lartësoi sakrificën e Jezusit, i cili erdhi në botë për të mbrojtur ata që janë pre e padrejtësisë. “Që në vogëli ai qëndron në mes të varfërve dhe është pre e Herodit. Mbi padrejtësinë fitohet, duke parë tek Krishti shpalljen e barazisë themelore të të gjithë njerëzve. Në një shoqëri padrejtësie e dhune edhe sot, Ai predikon dinjitetin e personit, që kërkon t’i respektohet sidomos e drejta për jetën e jo vetëm kaq, por ajo për një jetë dinjitoze, e drejta për edukim dhe e drejta për formuar familje”. Imzot Frendo tha se ndryshimi për një shoqëri më të drejtë, duhet të vijë nga zemra e njeriut, sepse vetëm kështu garantohet përparimi dhe liria e vërtetë.