Kisha Katolike shqiptare nga vit e në vazhdim do të kremtojë të dielën e parë të muajit shkurt Ditën e Jetës. Arqipeshkëvi i Shkodrës Angelo Massafra tha se janë duke u rritur gjithnjë e më shumë rastet e vetëvrasjeve, mungesa e lindjeve, abortet si dhe vrasjet e krimit të organizuar. Kjo po bën që vendi të ketë rënie demografike për shkak të shpopullimit nga emigrimi masiv. Massafra që është edhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare i bëri thirrje institucioneve që të bëjnë më shumë për mbrojtjen e jetës së shqiptarëve.

Mira Prekperaj, përfaqësuese e shoqatës “Komunitetit Papa Xhovani XXIII”, tha se kjo organizatë mirëpret gratë e vajzat që gjenden në vështirësi dhe disa prej tyre braktisen nga familjet për shkak të shtatzanive të padëshiruara.

Famullitari i Stajkave, dom Jetmir Nikolli thotë se përveç institucioneve fetare e shoqatave, duhet që shteti shqiptar të bëjë detyrën në mbrojtje të jetës.

Dita e Jetës nga kisha katolike shqiptare do të kremtohet më 5 shkurt të këtij viti për të vijuar më pas duke qenë e përvitshme me mesazhe të ndryshme Pro Jetës.

 

Artikulli paraprakKRYEBASHKIAKU SPAHIA PRET EKIPIN E ATLETIKËS
Artikulli tjetërPOLICIA TERRORIZON FAMILJEN NË DAJÇ TË LEZHËS