Kandidati i Socialdemokratëve kroat, Zoran Milanoviç, do të jetë president i ri i Kroacisë. Kur janë numëruar pothuajse të gjitha votat e hedhura në zgjedhjet e së dielës, Zoran Milanoviç ka fituar 52.7 për qind, duke lënë prapa presidenten e deritashme, Kolinda Grabar-Kitaroviç, nga partia konservatore Bashkimi Demokratik Kroat, me 47.3 për qind të votave.
Në raundin e parë të zgjedhjeve dy javë më parë, Milanoviç kishte fituar ndaj 11 kandidatëve të tjerë, duke marrë 29.6 për qind të votave. Ai doli para presidentes në detyrë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, cila mori 26.7 për qind të votave. Roli i presidentit është kryesisht ceremonial në Kroaci. Presidenti nuk mund t’i vë veton ligjeve, por është komandant i ushtrisë dhe përfaqëson vendin në arenën ndërkombëtare.
Kroacia, e cila mori presidencën e radhës të Bashkimit Evropian më 1 janar 2020, do të mbajë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vjeshtë, shkruan voa. Zoran Milanoviç, i cili ishte kryeministër i vendit nga vitin 2011 deri në vitin 2015, zhvilloi fushatën e tij zgjedhore me premtimin se ai do të luftonte korrupsionin që ai thotë se ishte intensifikuar që kur ai humbi pushtetin dhe konservatorët morën drejtimin e vendit.