Muzeu kombëtar “Marubi” nuk është vetëm shtëpia e fotografisë në Shkodër, por dita-ditës po kthehet në një vendtakim kulturor për artistë të ndryshëm si muzikantë, poetë, piktorë etj.
Claudio Pozzani, poeti, tregimtari dhe muzikanti italian ishte mysafiri i së enjtes pasdite, i cili promovoi librin e tij “Kjo faqe e grisur”. I përkthyer nga gazetarja Mira Tuci, ky libër vjen në dy gjuhë, për t’i përcjellur sa më mirë emocionet e tij tek italianët dhe shqiptarët. Në fillim të aktivitetit, Pozzani vlerësoi “shtëpinë mikpritëse”, pikërisht muzeun “Marubi” duke e quajtur vendtakimin e kulturave italiane dhe shqiptare përmes formave të ndryshme.
Më pas autori interpretoi disa poezi nga libri i tij. Ardhja e një poeti të tillë në Shkodër është një avantazh për jetën kulturuore, pasi ai është i njohur në disa vende të botës. Dashurinë për Shqipërinë e tregon sa herë i jepet mundësia, pasi në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Genova, prej tij është i ftuar çdo vit një autor shqiptar.