Një nga ndeshjet e konsideruara “klasike” në futbollin shqiptar është ajo mes Vllaznisë dhe Tiranës. Dy skuadra që i ka dhënë shumë këtij sporti në vendin tonë, që kanë fituar trofe kombëtarë, por që aktualisht nuk janë në më të mirën e vet. Kjo mund të konstatohet në pikët që kanë dhe vendet që mbajnë në klasifikimin e Superiores pas javës së 7-të, por edhe “turbulencat” në kampet respektive.
Si Vllaznia, edhe Tirana, i kanë shkarkuar trajnerët me të cilët e nisën këtë kampionat. Luan Zmijani iku më herët, ndërsa Shkëlqim Muça u shkarkua pas barazimit të fundit me Flamurtarin, në “Qemal Stafa”. Fakt është se kuqeblutë, nën drejtimin e trajnerit-drejtor sportiv, Armir Grima, ka nisur kthesën, ndërsa nuk mjafton fitorja e djeshme në Krujë, në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, për ta konfirmuar këtë gjë te bardheblutë. Përplasja direkte në Pukë, aty ku luan si pritëse Vllaznia, në kuadrin e javës së 8-të të Superiores, do të hedhë dritë më tepër mbi të dyja kampet. Në Shkodër është rikthyer “idili” mes tifozëve dhe skuadrës, ndaj pritet të ketë shumë mbështetës kuqeblu në stadiumin e Tërbunit. Misioni është i qartë: të bëjnë “lojtarin e 12-të” ndaj një kundërshtari, për të cilin nuk duhet të ketë mëshirë. Tirana, nga ana tjetër, nuk është braktisur nga mbështetësit edhe në ditët më të vështira, kështu që “Tirona Fanatics” nuk do të mungojë në këtë transfertë. Kjo do të thotë se “klasike” do të kemi edhe në shkallët e stadiumit, jo vetëm në fushën e blertë.