Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasada e SHBA në Tiranë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për vettingun. Dy ditë para se parlamenti të votojë për ndryshimin kushtetues që lejon zgjatjen e afatit të institucioneve të vettingut, Ambasada e SHBA dhe e BE iu bëjnë thirrje deputetëve ta votojnë.
Në deklaratën për shtyp të dy selive diplomatike, thuhet se ‘kjo nuk është çështje partiake’ dhe se ‘shpresojmë që të gjithë deputetët- pavarësisht nga përkatësia partiake – ta shohin këtë si një çështje të interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të’. Sipas BE dhe SHBA, vota për zgjatjen e vetingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE.
Ndryshimi kushtetues që zgjat mandatin e organeve të vettingut në drejtësi është në rendin e ditës së seancës plenare të kësaj të enjteje, 10 shkurt.
Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë përparime domethënëse në reformat e anëtarësimit në BE. Ndër hapat më të vështirë, por thelbësorë, ka qenë miratimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Jemi në një moment të rëndësishëm pasi reforma në drejtësi po jep rezultate.
Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një element themelor i reformës në drejtësi. Për t’u mundësuar institucioneve të vetingut të kryejnë misionin e tyre, është i nevojshëm ndryshimi i kushtetutës për ta zgjatur mandatin e tyre për një periudhë të kufizuar. Komisioni i Venecias konfirmoi se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet evropiane dhe është e nevojshme për të garantuar barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike.
Zgjatja e propozuar e vetingut mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo nuk është çështje partiake. Shpresojmë që të gjithë deputetët- pavarësisht nga përkatësia partiake – ta shohin këtë si një çështje të interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të, ashtu siç kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Shqipërisë. Vota për zgjatjen e vetingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE.