Sekretarja e brendshme britanike Theresa May dhe Ministri i Brendshëm francez Bernard Cazeneuve vizituan Eurotunelin në Calais, për të zbuluar një plan të përbashkët veprimi për të mos lejuar hyrjen në Eurotunel të emigrantëve të papajisur me dokumenta. Britania dhe Franca do të shtojnë burimet policore duke krijuar një qendër të përbashkët komande dhe kontrolli, që do të ngrihet në Kale.
Kjo qendër do të ketë për synim shkatërrimin e rrjetet kriminale që trafikojnë emigrantë. “Ne kemi ndërmarrë tashmë disa hapa që kanë filluar të përmirësojnë situatën këtu lidhur me numrin e personave që përpiqen të hyjnë në tunel dhe numrin e personave që përpiqen të depërtojnë në Mbretërinë e Bashkuar”- u shpreh sekretarja britanike.Ndërsa ministri i brendshëm francez tha se janë arrestuar disa grupe trafikantësh të emigrantëve që po përballen me drejtësinë, mes tyre edhe 7 banda shqiptare. “Trafikantët të cilët janë pjesë e organizatave ndërkombëtare kriminale, duhet të ndiqen penalisht dhe organizatat e tyre të çmontohen. Duhet të dërgojmë një sinjal shumë të fuqishëm nga qyteti Calais, se ju nuk mund ta shkelni kufirin që ne ndajmë së bashku” tha ministri francez. Ky bashkëpunim përfshin shtimin e numrit të forcave policore franceze, ngritjen e gardheve për të penguar kalimin e emigrantëve, financuar nga Britania, vendosjen e një sistemi më të madh vëzhgimi me kamera dhe pajisje të tjera të sigurisë, për të mbrojtur hyrjen në tunelin nëndetar.