Është zhvilluar provimi i dytë i lirimit për shkollat 9-vjeçare në vend. Nxënësit e klasave të 9-ta iu nënshtruan provimit të matematikës. Këtë vit janë rreth 29 mijë nxënës që kryejnë provimet e klasave të 9-ta. Provimi nisi në orën 10:00, ndërkohë që nxënësit kishin në dispozicion 2 orë e 30 minuta për të plotësuar të gjitha pyetjet e testit. Nxënësit u paraqiten në shkollë 1 orë para se të fillonte provimi. Në datën 28 qershor nxënësit e klasave të 9-ta do të zhvillojnë provimin e fundit, atë të gjuhës së huaj. Provimi i gjuhës së huaj mund të jetë në anglisht, frengjisht, italisht apo gjermanisht, në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të ulët, trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar në nivelin gjuhësor. Më 20 qershor nxënësit zhvilluan provimin e parë, atë të gjuhës shqipe. Ndërkohë edhe klasat e 9-ta në shkollat e qytetit të Shkodrës iu nënshtruan provimit të matematikës.

Në Shkodër sipas burimeve pranë Zyrës Vendore të Arsimit janë 1246 nxënës prej të cilëve 1223 morën pjesë në këtë provim pasi 23 prej tyre munguan. Në ZVA Shkodër ky provim u organizua në 16 qendra të ndryshme me pjesëmarrës nxënës të 77 shkollave. Ndërkohë ishin 13 nxënës me aftësi të kufizuar në shkollat gjithëpërfshirëse ku 12 prej tyre zgjodhën të zhvillonin një testë të veçantë dhe një tjetër zhvilloi testin si gjithë nxënësit e tjerë. Ndërkohë një vit më parë, gjatë sezonit shkollor 2022-2023 ishin 1356 nxënës që morën pjesën në provimet e lirimit duke qenë kështu këtë vit 110 nxënës më pak nga klasat e 9-ta që iu nënshtruan provimeve të lirimit. Për shkollat 9-vjeçare dhe vetë nxënësit, mësuesit dhe prindërit ky është një moment i rëndësishëm pasi vendos edhe ndjekien e studimeve të mëpasme në shkollën e mesme.

Artikulli paraprakBARDHAJ, BANORËT KËRKOJNË RRUGË PREJ 30 VITESH
Artikulli tjetërBEGAJ TAKON KRYETARIN E PARLAMENTIT TË MBRETËRISË SË ARABISË SAUDITE