Ndeshja Tirana-Vllaznia që do të luhet në fundjavë në stadiumin “Selman Stermasi” është padyshim një prej sfidave më emocionuese dhe më të rëndësishme të Superligës.
Pavarësisht momentin jo edhe shumë të mirë të këtyre dy ekipeve, mbetet klasikja e futbollit shqiptar dhe takimi i cili asnjëherë nuk duhet humbur. Bardheblutë kanë nisur të ndryshojnë javët e fundit por nga ana tjetër edhe Vllaznia patjetër që nuk shkon në kryeqytet për shëtitje por patjetër do të kërkojë një rezultat pozitiv. Shkodranët kërkojnë që të kenë një ecuri rezultatesh pozitive pas fitores që morën ndaj rivalëve të Tërbunit. Në radhët e Vllaznisë mesfushori Krymi vijon që të jetë i dëmtuar ndërsa ky repart do përbëhet nga Sefa, Bardulla dhe Haxhibuliç. Pjesa tjetër pritet që të mos ketë shumë ndryshime. Kështu, Tirana duket larg titullit, ndërsa Vllaznia lufton për mbijetesë. Aktualisht, në radhët e kuqebluve aktivizohet një ish i Tiranës, Jetmir Sefa, ndërsa te Tirana luan Dritan Smajli, benjamini i tifozëve kuqeblu prej shumë vitesh kur luante tek Vllaznia. Samjli ka deklaruar se këtë herë ekipi i tij do të fitojë ndaj ish-skuadrës ku ka luajtur. “Ndeshja me Vllazninë, si të gjitha, është ndeshje e radhës dhe mendoj që duhet fituar patjetër. Ajo ka vlerën e tri pikëve, ashtu si edhe përballjet me Partizanin. Personalisht mendoj se kjo e fundjavës do të jetë një tjetër histori. Ne si Tiranë do të bëjmë të gjitha përpjekjet që trepikëshi të jetë i garantuar në llogarinë tone”-ka thënë Smajli.