KLGJ dhe KLP, interesi për aplikim është shumë i ulët

Ndërsa na ndajnë pak orë nga afati përfundimtar i kërksave për të aplikuar për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, duket se interesi i gjyqtarëve është i ulët. Burime të Ora News mësojnë se deri tani në Gjykatën e Lartë kanë dorëzuar kërkesën për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit vetëm 3 gjyqtarë për 6 vende, ndërsa e kundërta ndodh me Këshillin e Lartë të Prokurorisë ku numri i të interesuarve është më i lartë. Burimet bëjnë me dije se deri tani kanë aplikuar për KLP 15 prokurorë, numër që pritet të dyfishohet deri mesditën e së hënës. Ndërkohë mësohet se dhe në Kuvendin e Shqipërisë, i cili do të zgjedhë 5 anëtarë për këto dy institucione, aplikimet kanë qenë minimale në një kohë kur afati i dorëzimit të dokumentacionit do të mbyllet të hënën. Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë dy institucione kyçe të sistemit të drejtësisë, të cilat parashikojnë të funksionojë prej muajit prill të vitit 2017. Secili prej këtyre institucioneve do të ketë nga 11 anëtarë, 6 prej të cilëve do të zgjidhen nga korpusi i gjyqtarëve apo prokurorëve dhe 5 anëtarë për secilin Këshill nga Kuvendi. Kushtetura e re i jep Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të drejtën që të hapë procedurat për zgjedhjen e anëtarëve jo gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Sipas saj, 2 anëtarë për secilin Këshill do të zgjidhen nga rradhët e avokatëve, 2 të tjerë nga trupa e pedagogëve të fakultetit të Drejtësisë dhe shkolla e Magjistraturës dhe 1 anëtar nga rradhët e shoqërisë civile. Dhjetë ditë pasi kandidatët të dorëzojnë aplikimet e tyre, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit verifikon nëse kandidatët plotësojnë kushtet e kërkuara nga Kushtetuta dhe ligji si dhe vlerëson kriteret profesionale dhe morale për secilin prej kandidatëve gjyqësorë dhe përgatit listën. “Në rast se kandidatët nuk plotësojnë kushtet dhe kriteret për tu zgjedhur Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit nuk i përfshin emrat e tyre në listë”, thuhet në Kushtetutë.

Artikulli paraprakRAMA:GJENDJA E KRIJUAR NGA MOTI I KEQ, MËSIM PËR QEVERINË
Artikulli tjetërKAPEN DY SHQIPTARË ME 350 GRAMË KOKAINË TË PASTËR