Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi deklaroi se do të nisë një verifikim për situatën e ndotjeve në lumin Buna. Kjo menjehere pasi Mali i Zi ka derguar një notë proteste Shqipërisë.

Klosi: Ajo që ka ndodhur në zonën e lumit të Bunës është një situatë që do ta hetojmë dhe verifikojmë dhe më pas do të mbajmë një qëndrim. Por është fakt që akoma një numër i konsiderueshëm bashkish dhe sidomos zonat e ish-komunave, vazhdojnë që lumenjtë, bregdetin dhe zona që janë në shtratet e lumenjve ti trajtojnë si venddepozitime legale për mbetjet urbane.

Dhe mjafton një shi të ndodhë në një ditë të caktuar dhe të gjithë gjërat dalin dhe pastaj shkojnë në det.Ministri kujtoi se Kodi Penal dënon dhe me heqje lirie ata që ndotin ambientin.

Klosi: Ajo që kërkojmë me forcë është që edhe në zbatim të kodit të ri penal për vend-depozitime ilegale dhe për hedhje të mbeturinave dhe mbetjeve urbane në vende jo të legalizuara kodi penal dënon tashmë jo vetëm me gjoba dhe edukim, por edhe me heqje lirie.

Një thirrje të fuqishme për të gjithë operatorët të cilët akoma shfrytëzojnë lumenjtë si vend-depozitime por edhe për bashkitë për të parë një mënyrë krejt tjetër të menaxhimit të hapësirave dhe mbetjeve urbane.

Ky është rasti i dytë që ndodh kjo ndotje dhe qeveria e Malit të Zi i ka dërguar notë proteste qeverisë së Shqipërisë disa muaj më parë, si shkak i derdhjes së ujërave të zeza në lum, por edhe mbeturinave të tjerave.

Kafshë e shpendë të ngordhura kanë dalë në brigjet malazeze të lumit Buna, nga grykëderdhja e deri në fshatin Reç.

Duke e konsideruar situatën shqetësuese, autoritetet e vendit fqinj akuzojnë se kafshët e shpendët e ngordhur kanë ardhur nga Shqipëria, pasi sipas tyre në territorin që ato kanë në administrim nuk ka ferma apo pulari.

Banorët e zonës kufitare që jetesën e kanë të lidhur me turizmin e quajnë fat që kjo gjë nuk ndodhi në sezonin turistik, pasi kjo do t’u dëmtonte reputacionin.

Artikulli paraprakLLESHAJ: KRIMI SHQIPTAR NUK ËSHTË GOGOL I RREZIKSHËM PËR HOLANDËN
Artikulli tjetërPRESIDENTI I PPE: TË HAPEN NEGOCIATAT PËR SHQIPËRINË