KLSH: 13 biznese VIP miliona lekë detyrime, të sekuestrohen nga tatimet

Një numër i konsiderueshëm kompanish VIP janë përgjegjës për miliarda lekë detyrime të pashlyera te tatimet. Por pasuritë e tyre nuk sekuestrohen nga drejtoria e tatimpaguesve të mëdhenj. Konstatimi vjen nga auditimi i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Drejtorinë Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë qershorin e këtij viti. Nga auditimi rezultoi se në totalin e masave shtrënguese peshën kryesore, e zë masa “Njoftim për pagesë” dërguar tatimpaguesve, duke vazhduar pastaj me masën e dytë që është “Urdhër Bllokim i Llogarive Bankare”. Në vijim rezulton se nuk është marrë masa “Urdhër Sekuestrim i Pasurisë” pasi nga verifikimi i pasurive të tatimpaguesve ka rezultuar se janë pasuri të cilat janë në kolateral të bankave pasi kanë kredi. Sipas KLSH, vetëm në vitin 2014 rezulton një shtim borxhi në vlerën prej rreth 7,9 miliardë lekë, afërsisht 70 milionë dollarë. Vetëm në vitet 2014-2015, 13 biznese VIP kanë krijuar një total detyrimesh e gjobash në shumën 552 milionë lekë, të cilat duhet të kthehen deri në fund të vitit 2016. KLSH evidenton edhe 27 biznese të tjerë VIP, nuk janë gjobitur për vonesën e pagesës së dividentëve. Totali i gjobave ndaj këtyre subjekteve arrin në 128 milionë lekë. Për shkeljet e mësipërme, KLSH ka kërkuar largimin nga puna të Drejtorit të Vlerësimit Tatimor N. Xh., si dhe masa disiplinore për 18 nëpunës të tjerë të drejtorisë së tatimpaguesve të mëdhenj.

Artikulli paraprakTRE SHQIPTARE ARRATISEN NGA BURGU U ROMES.PERDOREN ÇARÇAFE
Artikulli tjetërVRASJA E DYFISHTE PER DROGEN,1 DENIM I PERJETSHEM E 30 VITE BURG