Fundi i këtij viti nuk do të mbyllet shumë mirë për klubin e futbollit Vllaznia sh.a.
Kontrolli i Lartë i Shtetit do të zbresë në Shkodër teksa do të ndërmarrë një auditim në klubin kuqeblu. Ende nuk është shumë e qartë se ku do të fokusohet auditimi i KLSH por pritet që te jetë për periudhën e fundit 5-vjeçare kur Vllaznia drejtohet nga bashkia Shkodër. Plani i auditimit i KLSH për Vllaznia sh.a është zyrtar dhe është publikuar në faqen e internetit klsh.orag.al në programin e auditimit për 2016-ën. Sipas publikimit në faqen e KLSH grupi i auditit do të nisë me 19 dhjetor të këtij viti dhe totalisht mbyllet me 31 dhjetor të vitit të ardhshëm. Projekt raporti do jetë gati me 10 shkurt të 2017-ës ndërsa raporti përfundimtar me 15 mars të vitit të ardhshëm. Grupi i auditimit përbëhet nga 6 persona ndërsa një tjetër do jetë drejtuesi i këtij grupi. Nga sa bëhet e ditur e gjithë veprimtaria e shoqërisë aksionere Vllaznia sh.a nga sezoni 2011-2012 dhe deri më sot kur kuqeblutë kanë pronat të vetëm bashkinë do të jetë pjesë e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Vllaznia sh.a pas vitit të tretë duhej të kishte nisur procedurat për shpalljen e falimentit por kanë kaluar edhe dy vite të tjera dhe shoqëria Vllaznia sh.a vijon që të jetë me humbje. Po ashtu në këto 5 vite akuzat, debatet dhe pretendimet për super abuzime që shkojnë në miliona lekë kanë qenë të mëdha dhe të vazhdueshme tek klubi Vllaznia sh.a. Është folur shpesh herë në këto 5 vite për keqmenaxhim që në 4 vite me radhë rrezikuan që Vllaznia të binte nga Superliga. Një audit i vetë bashkisë Shkodër solli shumë zhurmë por nuk u bë asnjëherë i ditur për publikun i plotë. Pritet që KLSH në auditimin një vjeçar që do bëjë tek Vllaznia sh.a të evidentojë të gjitha këto problematika që mund të vënë në dyshim të ardhmen e kuqebluve.