Në Shqipëri kanë hyrë produkte ose lëndë të rrezikshme nga Kina për mbrojtjen e bimëve dhe produkteve bimore.

Ky është konstatimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, reflektuar në një raport për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, për periudhën 1 janar 2017 deri më 31 dhjetor 2018. Raporti i firmosur në maji të 2019 nga kryetari i KLSH, Bujar Leskaj, thuhet në vendin tonë kanë hyrë lëndë për mbrojtjen e bimëve nga Kina, të cilat konsiderohen me risk të lartë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas raportit, importet më të mëdha në Shqipëri kryhen pikërisht nga Kina, ndërsa AKU nuk ka një regjistër për vlerësimin e rrezikut të këtyre lëndëve. Produkti për mbrojtjen e bimëve ose “PMB” është produkti, i cili përmban një ose më shumë lëndë vepruese dhe i cili përdoret për mbrojtjen e bimëve e të produkteve bimore nga parazitët.

“Nga auditimi i regjistrit të importeve të PMB vënë në dispozicion nga Sektori i PIK në AKU, rezulton se janë kryer importe të PMB-ve, kryesisht me vend origjine Kinën, pavarësisht se nga vendet Evropiane nëpërmjet direktivave të ndryshme ekziston një mbikëqyrje e rrepte ndaj produkteve generike qe vijnë nga Kina duke i konsideruar importin e tyre me risk të lartë.

Nga ana e MBZHR si dhe AKU nuk ka një regjistër të vlerësimit të riskut të lartë të tyre, dhe një monitorim më të rreptë, por ndodh e kundërta ku importet më të mëdha kryhen pikërisht me vend origjine Kinën”, thuhet në raportin e KLSH.

Po sipas KLSH, emrat e kompanive jashtë BE-së ku janë blerë këto produkte, nuk ishin e reflektuar në regjistrin e PMB-ve si të lejuara dhe të riregjistruara. AKU nuk ka laborator analizash. Kontrolli i Lartë i Shtetit i Shtetit bën një tjetër konstatim, sipas të cilit AKU-ja nuk ka një laborator të këtyre lëndëve me risk të lartë që vijnë nga Kina.

Konkretisht në raport thuhet se “Evidentohet se AKU, nuk ka laborator të analizave, të formulimeve, duke e lënë jashtë kontrollit inputin që vjen nga importi, të cilat importohen me certifikatë analize nga vete prodhuesi dhe në shumicën e rasteve janë fotokopje të cilat cenojnë sigurinë e vlefshmërisë së dokumentit dhe përmbajtjes së tij, nga pikëpamja administrative.

Pra PMB-t që hyjnë për përdorim në vendin tonë nuk i nënshtrohen asnjë analize laboratorike të formulimit për të parë vetitë e tyre fiziko – kimike; përbërjen e lëndës vepruese dhe përmbajtjen e saj në %, përbërjen dhe përmbajtjen e lëndëve mbushëse (inerte) si dhe përbërjen e aditiveve që ju shtohen formulimeve, rrjedhimisht këto PMB nuk kalojnë paraprakisht në testet laboratorike dhe në terren për të parë veprimin e tyre (provat fushore) në kushtet aktuale të vendit tonë”.

Artikulli paraprakVENDI BOSH NË GJYKATËN KUSHTETUESE, KUVENDI PUBLIKON LISTËN E 6 KANDIDATËVE
Artikulli tjetërGREQIA SHPALL TË PAFAJSHËM JORGO TOTON (AGIM KAJMAKU), PD: U VËRTETUA SE KA QENË NË KËRKIM