Kontrolli i Lartë i Shtetit e cilëson dështim ligjin e miratuar katër vite më parë për barnat. Në një raport të publikuar
pas auditit të zhvilluar në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, KLSH-ja del në përfundimin se mungesa e akteve nënligjore, por edhe veprimet dhe mos veprimet e punonjësve i kanë shkaktuar një dëm ekonomik shtetit prej në vlerën 11,798,547 lekë në total për të cilën kërkon që të ndiqen të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe të gjitha shkallët e gjykimit deri në arkëtimin e vlerës.
Sipas institucionit të kontrollit financiar mungesa e objektivave strategjikë për shërbimin farmaceutik në vend ka bërë që politikat e ndërmarra nga qeveria për këtë sektor të mos jenë efektive në drejtim të garantimit të cilësisë dhe sigurisë së barnave.
Por ku janë problemet e konstatuara? Në analizën e bërë, KLSH ka zbuluar sipas saj 10 probleme në funksionimin e QSUT-së dhe Agjencisë së Kontrollit të Barnave nga; mungesa e akteve nënligjore, barnat pa fletë-udhëzuesin në gjuhën shqipe,
Laboratori i Agjencisë së Kontrollit të Barnave ende nuk është i akredituar, sasi të mëdha stoku barnash të skaduara si pasojë e dështimit të planifikimit, mungesa e kontrollit pranë farmacive spitalore, mungesa e investimeve dhe shumë të tjerë, ndërsa lë edhe disa rekomandime për institucionet përgjegjëse.