Klubi i futbollit Vllaznia ka reaguar me një deklaratë për shtyp duke thënë se nuk është e vërtetë se bashkia Shkodër ka dhënë për vitin 2016-të 120 milion lekë siç pretenduan disa prej anëtarëve të këshillit bashkiak në mbledhjen e fundit.

“Kjo deklaratë na ka habitur dhe nuk na ka lënë shije të mirë, pasi është shumë larg së vërtetës. Nuk e dimë kujt mund t’i interesojë shtrembërimi i fakteve e me ҫfarë qëllimi bëhet, por ajo që dimë mirë është që Vllaznisë nuk i shërben! Për secilin nga këshilltarët, apo për këdo tjetër, në ҫdo kohë është lehtësisht e verifikueshme nëpërmjet vendimeve të Këshillit Bashkiak të publikuara online dhe ekstraktit historik të KF Vllaznia sh.a. në QKR, se Bashkia Shkodër në fillim të këtij viti ka lëvruar një fond prej 50 milionë lekësh për klubin tonë. Ndërkohë, në mbledhjen e datës 2 nëntor, u miratua edhe një fond tjetër prej 12 milionë lekësh. Në total, për vitin 2016 ky institucion do të kalojë në arkën e KF Vllaznia një shumë prej 62 milionë lekësh dhe jo 120 milionë lekë siç u deklarua me abuzivisëm. Nëse dikush kërkon të shfrytëzojë Vllazninë për përfitime politike, duke abuzuar me deklarata aspak serioze, kjo është çështje tjetër”. Më tej klubi Vllaznia vijon sqarimin: “Nga shuma e miratuar, 22 milionë lekë janë shpenzuar për likujdimin e borxheve të prapambetura. Për rrjedhojë, në dispozicion të KF Vllaznia për të gjithë veprimtarinë e tij për vitin 2016, mbesin 40 milionë lekë. Se ku janë shpenzuar dhe si do të shpenzohen këto lekë, apo të ardhurat e tjera të siguruara nga KF Vllaznia, është plotësisht e verifikueshme  nga kushdo, sepse jemi të hapur për këtë gjë. KF Vllaznia i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë publike të gjitha shpenzimet financiare për këshilltarët bashkiakë apo këdo tjetër sa herë që i kanë kërkuar, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur dhe jemi shumë transparent në këtë drejtim”. Deklaratën për dhënien e 120 milion lekëve për Vllazninë në këshillin bashkiak e kanë bërë anëtarët e PD-së dhe PS-së por edhe këshilltar të qendrës për të cilën bashkia Shkodër e quan të pavërtetë.

Artikulli paraprakVLLAZNIA, CUNGU: NDAJ KUKËSIT EDHE PËR FITORE
Artikulli tjetërLUMTURIMI I MARTIRËVE, PD-ja KOMENTON MUNGESËN E RAMËS