Klubi i futbollit Vllaznia ka reaguar në lidhje me disa gjeste të ndodhura në fundin e ndeshjes në Rekjavik ndaj Valur, e mbyllur në barazim 2-2. Klubi kuqeblu, përmes një deklaratë të shpërndarë për mediat, ka siguruar se për ndeshjen e kthimit garantojnë sigurinë absolute në stadiumin “Loro Boriçi”. Ja deklarata e klubit shkodran:
“Klubi i Futbollit Vllaznia, presidenti Alban Xhaferi dhe të gjithë drejtuesit e tjerë distancohen nga çdo shfaqje antisportive e ndodhur në shkallët e stadiumit “Hlíðarendi” Rejkjavik, Islandë, duke dënuar me forcë çdo veprim që cënon integritetin e garës. Në asnjë rast nuk mund të marrim përgjegjësi për sjelljet individuale që cënojnë rregullat e UEFA-s të çdo tifozi të pranishëm në stadium për të cilat organizatorët e kësaj ndeshje, klubi pritës, duhej të kishte marrë të gjitha masat për zhvillimin normal të një ndeshje futbolli. Megjithatë ekipit të Vllaznisë nuk i është dhënë asnjë biletë për mbështetësit e saj të cilat kanë qenë të aksesueshme vetëm online! Drejtuesit e Vllaznisë distancohen në mënyrë të hapur dhe të qartë nga ngjarje të tilla që nuk kanë lidhje me futbollin dhe po bashkëpunojnë ngushtësisht me organet përgjegjëse në UEFA për të kontribuar në hetimin objektiv të këtyre shfaqjeve që dëmtojnë imazhin e futbollit. KF Vllaznia ashtu si në të gjitha ndeshjet ndërkombëtare të organizuara, garanton sigurinë absolute në ndeshjen e kthimit në Shkodër duke krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për “fair-play” në fushë dhe në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”.”
Ndeshja u mbyll në baraspeshë totale 2-2, por gjatë zhvillimit të lojës kishte incidente të ndryshme gjyqtarin e sfidës, ku sipas shkodranëve ai dha 2-3 vendime të gabuara në dëm të ekipit kuqeblu. Kjo bëri që tifozët të irritoheshin dhe të fillonin të përleshën me rojet e stadiumit.

Artikulli paraprakFESTA E ARTIT DHE MALIT NË THETH
Artikulli tjetërI NXEHTI AFRIKAN, EVITONI DALJET NGA ORA 11:00 – 18:00! KËSHILLAT QË DUHET TË NDIQNI