Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka zhvilluar një takim me raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Fleckenstein, i cili ishte i shoqëruar nga ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca.
Gjonaj e njohu të dërguarin e PE me ecurinë e procesit për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, për të cilat tha se “pritet të përfundojnë shumë shpejt”.
Raportuesi i PE, Knut Fleckenstein vlerësoi përpjekjet që janë bërë jo vetëm në Reformën në Drejtësi por edhe në proceset e tjera si lufta kundër korrupsionit, reforma e tokës dhe sistemin penitenciar.
Ai kërkoi të vazhdohej në rrugën e nisur duke përshpejtuar proceset dhe shprehu gatishmërinë e plotë për të mbështetur zbatimin e reformave shtetformuese. Përsa i përket masave në luftën kundër korrupsionit, ministrja Gjonaj ka theksuar se mekanizmi i ngritur nga qeveria po funksionon me efikasitet të plotë.
Ministrja theksoi se Task Forca Antikorrupsion në bashkëpunim edhe me institucionet e tjetra ligjzbatuese ka dërguar në prokurori për ndjekje penale 35 zyrtarë të lartë, ndërkohë që janë marrë rreth 400 masa të tjera disiplinore.