Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka refuzuar ftesën e kryedemokratit Sali Berisha për bashkim në një koalicion opozitar, duke theksuar se partia që ai drejton ka një qasje të ndryshme për luftën kundër kryeministrit Edi Rama.

Gjatë një konference për shtyp, Shehi deklaroi se opozita duhet të bashkohet rreth kauzës së përbashkët për të mundur Ramën, por kjo nuk do të thotë se duhet të pranohet çdo ftesë, sidomos nga Berisha.

“Ne që jemi këtu jemi të gjithë kundër Edi Ramës. Gjykojmë që kjo është beteja e opozitës, por nuk mendojmë se meqë Berisha bën një ftesë, të turremi të gjithë pas ftesës së tij,” tha Shehi.

Ai shtoi se LZHK do të vazhdojë të ndjekë një linjë të pavarur për të krijuar një tjetër grupim opozitar për zgjedhjet e vitit 2025.

Sipas Shehit, nëse do të ishte kaq e lehtë, do të kishin bashkuar forcat me Berishën dhe do të kishin mbyllur këtë histori.

Ai shtoi se koalicioni i thjeshtë me Berishën nuk është i mjaftueshëm për të mundur Edi Ramën. “Ne për të mundur Ramën po mundohemi të gjejmë një trajektore tjetër politike,” theksoi ai.

Artikulli paraprak6 NDESHJET E FUNDVITIT PËR VLLAZNINË
Artikulli tjetërBANORËT KËRKOJNË INVESTIME