Deklarate e Këshilltarëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, në Këshillin Bashkiak Shkodër, në lidhje me pengimin e interpelancës së kërkuar me Kryetarin e Bashkisë Shkodër.
Të nderuar qytetarë të Shkodrës,
Kryetar i Këshillit të Bashkisë Shkodër.
Z. Oltion Luli
Kryetar i Bashkisë Shkodër.
Z. Benet Beci
Sot ne, përfaqësuesit e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Këshillin Bashkiak Shkodër, drejtohemi me një deklaratë publike për të adresuar një çështje të rëndësishme për të gjithë ne si komunitet.
Ne, Këshilltarë të Këshillit Bashkiak Shkodër, jemi thellësisht të shqetësuar për largimin nga puna të një numri të konsiderueshëm punonjësish nga administrata e Bashkisë Shkodër.
Në këtë kuadër, duam të shprehim zhgënjimin tonë të thellë për pengimin e interpelancës të kërkuar me Kryetarin e Bashkisë Shkodër në lidhje me këto largime nga puna.
Interpelanca është një mekanizëm i rëndësishëm demokratik që i jep zë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre për të adresuar pyetje dhe për të kërkuar llogari nga drejtuesit e tyre.
Ne, si këshilltarë të zgjedhur, kemi përdorur këtë mekanizëm për të sjellë transparencë dhe llogaridhënie në vendimmarrjen e bashkisë.
Interpelanca parashikohet në nenin Neni 74 i Rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Bashkiak Shkodër”, miratuar me vendimin e KB Nr. 60, datë 28. 12. 2020.
Citojmë:​
Neni 74, të Rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Bashkiak Shkodër”, miratuar me vendimin e KB Nr. 60, datë 28. 12. 2020.
Interpelancat me Kryetarin e Bashkisë
1.​Interpelanca me Kryetarin e Bashkisë kërkohet me shkrim nga një Këshilltar apo grup Këshilltarësh për të marrë shpjegime për motivet, synimet dhe qëndrimin e Kryetarit të Bashkisë ose drejtuesve të lartë të administratës së Bashkisë, si dhe titullarëve të institucioneve, enteve apo drejtuesve të ndërmarjeve në varësi të Bashkisë, lidhur me aspekte të rëndësishme të veprimtarisë së tyre.
2.​Kërkesa për interpelancë i paraqitet Kryetarit të Këshillit, i cili nëpërmjet Sekretarit të Këshillit njofton Kryetarin e Bashkisë apo personit ndaj të cilit kërkohet interpelanca.
3.​Në mbledhjen e Kryesisë së Këshillit vendoset me mirëkuptim nëse një interpelancë do shqyrtohet me debat ose pa debat në Këshill.
4.​Në rastin kur vendoset që interpelanca të zhvillohet me debat përcaktohet edhe koha e debatit për secilin grup politik Këshilltarësh.
5.​Interpelanca vihen në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit jo më vonë se dy muaj nga paraqitja e kërkesës tek Kryetari i Këshillit. Nuk mund të vihen në rendin e ditës së të njëjtës mbledhje më shumë se një interpelancë e bërë nga i njëjti Këshilltar.
6.​Këshilltari që ka paraqitur një interpelancë, ka të drejtën e shpjegimit të saj për një kohë jo më të gjatë së 10 minuta dhe, pas deklarimeve apo shpjegimeve të personit ndaj të cilit kërkohet interpelanea, paraqet për një kohë jo më të gJatë se 10 minuta arsyet për të cilat mbetet i kënaqur ose jo me përgjigjen e dhëna.
Megjithatë, pavarësisht se kemi dorëzuar shkresën për interpelancë zyrtarisht me dt. 8 shkurt 2024, me numër protokolli 2661, jemi të zhgënjyer që interpelanca jonë me kryetarin e bashkisë është penguar qëllimisht dhe nuk përfshihet në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit Bashkiak.
Ky veprim pengues jo vetëm që shkel vullnetin tonë si përfaqësues të qytetarëve, por gjithashtu kufizon të drejtën e qytetarëve për të marrë informacion dhe për të marrë përgjigje të nevojshme për çështjet që i prekin.
Në demokraci, duhet të ekzistojë respekt për institucionet demokratike dhe për të drejtat e përfaqësuesve të zgjedhur nga populli.
Ne kërkojmë që kryetari i bashkisë të respektojë pavarësinë dhe funksionin e Këshillit Bashkiak dhe të mundësojë interpelancën e kërkuar nga ana jonë për t’u zhvilluar në mënyrë të hapur dhe transparente.
Ne, si këshilltarë, do të vazhdojmë të luftojmë për drejtësi dhe pavarësi në vendimmarrjen e Bashkisë. Ne do të mbrojmë të drejtat e qytetarëve dhe do të punojmë për të garantuar që ndikimi politik të mos shkelë integritetin e institucioneve tona.
Këshilltarët e Këshillit Bashkiak të koalicionit “Bashkë fitojmë”

May be an image of ticket stub and text

Artikulli paraprak21 JANARI NË SPAK, BASHA: NUK KAM ASGJË PËR TË FSHEHUR
Artikulli tjetërÇFARË PO NDODH? ALARM PËR BOMBË NË NJË STACION TRENI NË GREQI