Tërmeti më i fuqishëm në historinë e regjistrimeve është ai i 22 majit 1960 në jug të Kilit. Lëkundja e magnitudës 9.5 do të merrte emrin e qytetit më të prekur prej saj, Valdivia, ku u vranë gati 1.655 persona, u plagosën 3.000 e 2 milionë mbetën të pastrehë.
Po të flisnim me shifra të sotme, dëmet ekonomike kapërcenin 2 miliardë dollarët. Tërmeti i Valdivias shkaktoi një cunami masiv që goditi përtej Paqësorit. Valët e tij shkatërruan komunitetet bregdetare deri në Zelandën e re, Japoni e Filipine. Në Hawaii, cunami shkatërroi qytetin bregdetar Hilo, e vrau 61 njerëz. 50 vjet më vonë, Kilin e goditi një tjetër tërmet apokaliptik, i magnitudës 8.8. Po atë vit ndërkohë, Haiti u godit nga një tërmet me magnitudë 7.0. Në Haiti vdiqën 220.000 vetë, në Kili, ku tërmeti ishte shumë herë më i fortë, viktimat ishin 500.
Përse? Kili, është shpjegimi i BBC-së, është një vend padyshim më i pasur, e cilësia e ndërtesave ishte më e mirë. Por ai ishte gjithashtu më i përgatitur se shteti ishull, e kjo pikërisht falë tërmetit të 1960-tës. Që prej atëherë, autoritetet kiliane nisën të zbatonin një kod të ri sizmik për ndërtesat që do të ngriheshin, falë të cilit strukturat në vitet në vijim u bënë më rezistente ndaj lëkundjeve të forta të tokës.