Është zbardhur drafti i Kodit të ri Zgjedhor në lidhje me Reformën Zgjedhore, i dakordësuar mes të gjitha palëve politike. Në draft, thuhet se KQZ refuzon listat e partive, nëse nuk kanë në përbërje 30 përqind femra, ndërsa saktëson se qeveria 4 muaj para zgjedhjeve nuk merr dot vendime. Gjithashtu, pjesë e ndryshimeve në Kodin e ri Zgjedhor është edhe përcaktimi se “Nuk mund të ulen taksat 4 muaj para zgjedhjeve. Nuk mund të rriten pensionet 4 muaj para zgjedhjeve”.
KQZ aktuale do të shkrihet ditën që Kodi i ri Zgjedhor hyn në fuqi. Ne pjesen e zgjedhjeve, percaktohet: Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 prilli deri në 15 maj ose nga 15 tetori deri në 15 nëntor.
Data e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës. Sa i përket përbërjes dhe funksionimit të KQZ-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucioni përgjegjës për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve dhe referendumeve, i cili drejton dhe mbikqyr veprimtarinë e adminstratës zgjedhore, monitoron veprimtarinë e subjekteve zgjedhore, organeve dhe institucioneve shtetërore, si dhe të medias në raport me zgjedhjet, si dhe zgjidh në rrugë administrative kërkesat apo ankesat që kanë lidhje me procesin zgjedhor.
Organet drejtuese të KQZ-së janë: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve; Komisioni Rregullator; dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve është organ monokratik që ushtron kompetencat ekzekutive, drejton administratën e KQZ-së dhe përfaqëson KQZ-në në marrëdhëniet me të tretët. Komisioni Rregullator është organi kompetent për miratimin e akteve me karakter normativ në fushën e zgjedhjeve dhe vendosjen e rregullave për zgjedhjet.
Rregullatori funksionon me kohë të pjesshme dhe e ushtron veprimtarinë në mbledhje publike, të cilat thirren nga Komisioneri. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve është organ kompetent për shqyrtimin e ankimimeve administrative dhe për vendosjen e sanksioneve për shkelje të ligjit zgjedhor. KAS-i funksionon me kohë të pjesshme dhe e ushtron veprimtarinë në seanca publike të shqyrtimit administrativ, të cilat thirren nga Komisioneri, me pjesëmarrjen e palëve të interesuara. Në rast se Komisioneri nuk vë në lëvizje Rregullatorin ose KAS-in kur ka çështje të kompetencës së tyre, atëhere organet vetëmblidhen me kërkesë të çdo anëtari.