Kur kanë mbetur dhe tre ditë nga tubimi i 2 marsit, presidenti Ilir Meta thotë se çoi qytetar i vendit tonë duhet të kuptojë se kriza e tmerrshme institucionale, ekonomike e shoqërore, si dhe rritja e pasigurisë për të ardhmen, buron nga mungesa e ndërgjegjësimit tonë si shoqëri për domosdoshmërinë e mbrojtjes së Kushtetutës nga politikanët që për më shumë
pushtet i venë kazmën themeleve të shtetit, si përmes ndërhyrjeve të nxituara dhe jo transparente, ashtu edhe përmes bërjes së ligjeve anti-kushtetuese që minojnë sundimin e Kushtetutës dhe shtetit ligjor, siç është bërë traditë sidomos në vitet e fundit.
Për Presidentin, është koha që sovrani të thotë fjalën e tij ndaj këtyre puçistëve që nxjerrin ligje për të shkelur dhe dhunuar Kushtetutën e Republikës.
“Është koha të shpëtojmë shtetin e të gjithë shqiptarëve nga pengmarrësit e pushtetit! Ndaj në 2 mars zëri juaj duhet të dëgjohet si asnjëherë tjetër” thekson Meta në postimin e tij në facebook.
Më 2 mars, presidenti Ilir Meta ka ftuar popullin që ti bashkohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të krijuar atë që ai e ka konsideruar si “Besëlidhja kundër grushtit të shtetit”.
Kreu i Shtetit ka bërë të ditur se aty do të firmosë një dekret të rëndësishëm për çmontimin e këtij grushti shteti.
Ai e konsideron parlamentin jo legjitim, ndërsa më parë ka bërë të ditur se atë do e shpërndajë populli.